Vendosni fjalën kyçe....

Ministri i Jashtëm holandez: KE do trajtojë shkeljet për Air Albania dhe aeroportin e Vlorës


Ministri i Punëve të Jashtme të Holandës, Stef Blok ka konfirmuar se Komisioni Evropian do të trajtojë shkeljet e mundshme të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit nga qeveria shqiptare. Ministri Blok deklaroi:

“Nga interesimi ynë pranë Komisionit del se shkelja e mundshme e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA) ndërmjet BE-së dhe Shqipërisë, në lidhje me ndërtimin e aeroportit të ri në Vlorë dhe krijimin e Air Albania, do të shqyrtohet në kuadrin e të gjithë vlerësimit të shkallës në të cilën Shqipëria ka përshtatur kuadrin ligjor me acquis communautaire të BE-së. Në muajt e ardhshëm, Komisioni do t’i diskutojë këto çështje me qeverinë shqiptare në kuadër të një vlerësimi të planifikuar dhe më të gjerë të prokurimit publik dhe të kuadrit ligjor për konkurrencën e lirë dhe mbështjen e shtetit shqiptar ndaj saj.”

Megjithatë, edhe pse Komisioni Evropian premton ta “adresojë” me qeverinë shqiptare “shkeljen e mundshme”, kjo nuk do të bëhet në Këshillin e MSA-së. Sipas ministrit Blok, Komisioni nuk e ka vënë çështjen në axhendën e Këshillit të MSA-së.

Një tjetër aspekt interesant i përgjigjes së Komisionit Evropian ndaj ministrit Blok, të cilin ai ia komunikoi Parlamentit, ishte përgjigjja e Komisionit mbi shkelje të mëparshme të MSA-së nga ana e Shqipërisë.

“Nga interesimi ynë pranë Komisionit del se më parë ishte paraqitur një ankesë që pretendonte se MSA-ja midis BE-së dhe Shqipërisë ishte shkelur në fushën e prokurimit publik dhe konkurrencës / mbështetjes nga shteti. Shërbimi ligjor i Komisionit e hetoi çështjen. Përfundimi i hetimit tregoi se nuk kishte asnjë shkelje të rregullave të MSA-së.”

Ankesa në fjalë i referohet Ligjit të Posaçëm për Teatrin Kombëtar, për të cilin Komisioni Evropian në fakt ka gjetur shkelje të MSA-së. Në një letër të datës 7 shtator 2018, Komisioni deklaroi:

“Neni 74 (1) [i MSA] i referohet qëllimit të dëshiruar të palëve për të shqyrtuar hapjen e procedurave për dhënien e kontratave publike në bazë të mosdiskriminimit dhe reciprocitetit. Në këtë kontekst, ligji i posaçëm i miratuar, i cili ka parashikuar përzgjedhjen e një kontraktori pa një tender të hapur, ngriti shqetësime në lidhje me respektimin e parimit të sipërpërmendur të mosdiskriminimit dhe të parimeve të tjera të prokurimit publik në BE, dmth. trajtim të barabartë dhe konkurrencë të hapur.”

Edhe pse në letër nuk përdoret fjala “shkelje”, Komisioni ishte shumë i qartë se, nëse qeveria shqiptare do ta zbatonte Ligjin e Posaçëm, atëherë kjo do të konsiderohej shkelje.

Si rezultat, qeveria riformuloi ligjin, duke përfshirë një procedurë ad-hoc për tenderin, dhe e miratoi atë në parlament. Megjithatë, procedura e tenderit e parashikuar në ligj dështoi dhe aktualisht i gjithë projekti ka mbetur në ajër.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Exit.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *