Bundesliga ka luajtur disa nga ndeshjet e javës së 21-të, ku mes të tjerave spikaste përballja mes Bayernit të Mynihut dhe Shalkes.
Në “Allianz Arena”, skuadra e Niko Kovaç ka triumfuar 3-1. Fillimisht të zotët e shtëpisë kaluan në epërsi në minutën e 11-të pas autogolit të Brumës, por Shalke reagon dhe barazon shumë shpejt. Minuta e 25-të dhe Kutuku rikthen barazpeshën.
Por ky gol është vetëm një iluzion Levandovski në të 27-ën e futi ndeshjen në ujëra të qeta për të besuarit e Kovaç, ndërsa në pjesën e dytë, Gnabri vuri në kasafortë me golin e rezultatit përfundimtar 3-1.
Fitorja ka bërë me krahë bavarezët, që kanë përfituar nga ndalesa e Dortmundit. Verdhezinjtë kanë bërë një “vetëvrasje” në “Vestfale Stadion”. Ndonëse udhëhiqnin 3-0 deri në minutën e 66-të pas golave të Sanços, Gëces e Gerreros, janë barazuar në harkun e 12 minutave pas dygolëshit të Belfodil dhe golit të Kaderabek. Tashmë, diferenca mes Dormundit kryesues dhe Bajernit është zvogëluar në vetëm 5 pikë.