Vendosni fjalën kyçe....

Edhe klasat e pesta do i nënshtrohen provimit, caktohet data dhe lëndët


Mijëra nxënësit që përfundojnë ciklin fillor 5-vjeçar do t’i nënshtrohen më 24 maj vlerësimit të njohurive në së paku tri lëndë: Gjuhë shqipe, Matematikë e Dituri Natyre.

Ministrja e Arsimit, Besa Shahini, ka firmosur urdhrin e dytë të saj në datën 6 shkurt, ku caktohet data e testimit, përfundimet e të cilit i shërbejnë më tepër Ministrisë së Arsimit. Kjo nënvizohet qartë edhe në udhëzimin “Për zhvillimin e vlerësimit të arritjeve të nxënësve të arsimit fillor 2019”.

“Arkivimi i testeve bëhet pranë institucioneve arsimore vendore, përgjegjëse për arsimin parauniversitar. Sektori i statistikës i institucionit arsimor vendor, përgjegjës për arsimin parauniversitar, merr nga Qendra e Vlerësimit të Testit dhe ruan të dhënat e çdo nxënësi, të vlerësuesve të jashtëm dhe të mjediseve ku është realizuar vlerësimi i arritjeve të nxënësve të arsimit fillor. Këto të dhëna dërgohen në QSHA dhe MASR”.

Ky është viti i tretë që realizohet një provim i tillë për nxënësit e fillores, pjesë e reformës së Ministrisë, e cila synon ta bëjë test të detyrueshëm dalës për ciklin e ulët. Por, për ta bërë të mundur këtë duhen ndryshime në ligjin e arsimit parauniversitar. E njëjta gjë ndodh edhe me nxënësit që përfundojnë arsimin e mesëm të ulët, ose 9-vjeçare dhe arsimin e mesëm, të cilët iu nënshtrohen provimeve të lirimit dhe atyre të maturës.

TEZA

Testimi i integruar përmban 50 pyetje nga tri lëndët bazë të fillores, të cilave nxënësit duhet t’u përgjigjen përreth një orë e 30 minuta. Edhe pse një provim në dukje i thjeshtë, administrimi i tij do të jetë i njëjtë me ato të Maturës Shtetërore. Provimi nis në orën 10:00, ndërsa nxënësit duhet të paraqiten një orë përpara. Çdo tezë kalon në dy duar korrigjuesish, të cilët veprojnë në bazë të një formati model. Në rast se nuk bien dakord, një vlerësues i tretë përcakton pikët. Sa u përket nxënësve me aftësi të kufizuara, ata do ta zhvillojnë këtë provim me anë të programeve të tyre që punojnë, duke parashikuar këtu veçoritë dhe standardin e tyre.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *