Ish-kryeministri Sali Berisha vijon me denoncimet lidhur me dhunën e ushtruar ndaj punonjësve të policisë në Burgun e Peqinit.
Berisha i referohet mesazhit të një personi i cili thotë se është punonjës në këtë burg. Sipas tij vetëm në një muaj katër policë janë rrahur nga të burgosurit.
Gardiani shprehet se jeta e tij dhe e kolegëve është në rrezik ndërsa nuk ka më shpresë te qeveria. Dhunimi dhe poshtërimi i këtyre punonjësve të shtetit nuk është i vetmi problem, pasi ai shprehet se u vonojnë edhe pagat, si edhe nuk u paguajnë orët e punës jashtë orarit.
“Miqtë e qeveritarëve në burgje terrorizojnë personelin!
Qeveria nuk paguan punonjësve rrogat për orët e punës.
Lexoni denoncimin e oficerit dixhital. “, komenton Berisha.
Mesazhi i gardianit të burgut të Peqinit
Përshëndetje z.S.B
Dua të bëj një denoncim sepse zërin tonë nuk e dëgjon njeri, të paktën të lutem ngrije ti zërin tonë në Kuvend. Jam një punonjës policie në Policinë e Burgjeve ose më saktë në burgun e sigurisë së lartë në Peqin. Denocimi juaj pak ditë më parë në Kuvend ësht tepër i saktë sepse për një muaj në këtë burg janë rrahur 4 punonjës policie, janë grushtuar dhe janë degjeneruar. Rasti i fundit kur u rrah një punonjës policie është sot me dt 05.02.2019 edhe shteti nuk ka marrë asnjë masë për sigurinë tonë. Ndjehemi të harruar të frikësuar dhe nuk kemi siguri për jetën sepse krimi ka më shumë mbështetje nga lart se ne që përfaqësojmë shtetin. Mirë që rrogat nuk na i japin, por punojmë nga 3-4 ditë tepër çdo muaj edhe nuk na paguajnë por tani edhe po na grushtojnë të dënuarit edhe shteti nuk do tja dijë për ne. Të lutem ngrije zërin për ne sepse kemi frikë të flasim, këto që po them janë të gjitha të verifikueshme. Respekte.