Arrestohet i riu i dyshuar për vrasjen në Pukë të dy ditëve më parë. Policia njofton se ka vënë në pranga Enderis Dodajn, i cili më 8 shkurt dyshohet se vrau me armë zjarri shokun e tij të ngushtë nga pakujdesia.
“Në vijim të informacionit për vrasjen në Pukë ju njoftojme se u ndalua autori i dyshuar i vrasjes të ndodhur ne 8 shkurt 2019 ku mbeti i vrarë shtetasi P. B.
Nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër në bashkëpunim me forcat e Komisariatit të Policisë Pukê u bë ndalimi i shtetasit E.D, 25 vjeç, banues në Tiranë.
Materialet iu referuan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës Parë Pukë për veprime të mëtejshme”, thuhet në njoftimin e policisë.
Petrit Biba u dërgua në gjendje të rëndë në Spitalin e Pukës, mbrëmjen e 8 shkurtit rreth orës 20:30, por për shkak të gjendjes kritike, u transportua me urgjencë drejt Spitalit të Shkodrës, ku edhe ndërroi jetë.
Ngjarja ka ndodhur pranë një HEC-i, në fshatin Kaftallë të Pukës. Biba ishte punëtor në kantierin e ndërtimit të HEC-it.
Sipas Policisë, ai kishte plagë me armë zjarri tejshpuese në bark, që dyshohet se janë shkaktuar nga një armë automatike.