Vendosni fjalën kyçe....

Bota e mrekullueshme e parasë


Nga Klodian Tomorri

Së pari paraja në qarkullim nuk ka rënë

Vitin e kaluar paraja në qarkullim u rrit me 4 për qind ose 12 miliardë lekë. Paraja në qarkullim është paraja CASH jashtë bankave, që kanë në duar bizneset dhe familjet. Pra është paraja që përdoret në transaksionet e përditshme. Në kushtet e inflacionit të ulët siç është Shqipëria aktualisht, rritja e parasë në qarkullim përgjithësisht ka tre arsye. Ajo tregon ose rritje të informalitetit ose rritje të shpenzimeve familjare (pra rritje të konsumit) ose ngadalësimin e shpejtësisë me të cilën lëviz paraja. Kaq për paranë në qarkullim.

Ajo që debatohet sot në Shqipëri është paraja e gjerë (M3), e cila është një koncept krejt i ndryshëm nga paraja në qarkullim. Ky është treguesi që ka rënë. Sipas Bankës së Shqipërisë, vitin e kaluar M3 u ul 3 miliardë lekë ose 0.2 per qind.

Por a do të thotë rënia e M3 se ka rënë ekonomia apo se po ngadalësohet rritja ekonomike? Përgjigja është JO. Për ta kuptuar këtë së pari nevojitet të kuptohet cfarë është M3 dhe si matet ai. Formula është si më poshtë:

M3 = Paraja në qarkullim + llogaritë rrjedhëse + depozitat në lekë deri në 2 vjet+ depozitat në valutë.

Pra M3 ka shumë gjera brenda dhe paraja në qarkullim është vetëm një fraksion i vogël i tij. Tani pse është ulur M3 në ekonominë shqiptare. Arsyet gjenden tek formula më sipër.

SË PARI DEPOZITAT NË VALUTË

Shqiptarët kanë 4 miliardë euro depozita në banka, por vitin e kaluar euro u zhvlerësua me 7.5 për qind ndaj lekut. Meqënëse M3 shprehet në lekë vetëm si pasojë e zhvlerësimit të Euros, ai është ulur me 30 miliardë lekë. E thënë me thjeshtë nëse euro do kishte të njëjtin kurs këmbimi ndaj lekut si në 2017-ën atëherë M3 në Shqipëri, jo vetëm që nuk do kishte rënë vitin e kaluar, por do ishte rritur me 27 miliardë lekë.

SË DYTI, ZHVENDOSJA E DEPOZITAVE DREJT MATURIMEVE MË TË GJATA.

Tek formula lart M3 llogaritë vetëm depozitat në lekë deri në dy vjet. Por Banka e Shqipërisë thotë se vitin e kaluar një pjesë e qytetarëve i kanë zhvendosur kursimet nga depozita nën dy vjet në depozita mbi këtë afat. Rrjedhimisht ato nuk llogariten më në ofertën monetare.

SË TRETI, STANJACIONI I KREDIVE.

Bankat prodhojnë para nga hiçi. Supozojmë se një individ depoziton 100 lekë në bankë. Këtë 100 lekësh banka e merr dhe ja jep kredi një individi tjetër, i cili me këto para shkon blen një shtëpi. Ndërtuesi e merr 100 lekëshin dhe e fut prapë në bankë. Pra në fillim kishim vetëm 100 lekë depozita, por tani ato u bënë 200 lekë (100 të individit që i depozitoi në fillim dhe 100 lekë të ndërtuesit).

Vetëm si pasojë e këtij transaksioni oferta monetare u dyfishua edhe pse sasia fizike e parasë është vetëm 100 lekë. Kjo është mënyra se si bankat krijojnë para nga hiçi. Tani çfarë ka ndodhur në Shqipëri? Meqënëse kredia është në stanjacion, ky proces i krijimit të parasë ka ndaluar. Dhe kjo shpjegon se pse nuk po rriten as depozitat dhe as M3.

Kjo është bota e mrekullueshme e parasë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *