Templates by BIGtheme NET

Autoriteti i Dosjeve: 30 ish-sigurimsa në diplomaci, akademi shkencash dhe universitete

Autoriteti i Dosjeve me kërkesë të Top Channel shprehet se me zgjedhjen në organet e larta të drejtësisë janë verifikuar 294 kandidatë, nga të cilët 5 individë kanë rezultuar të figurojnë me dosje.

“Janë verifikuar kandidatët për anëtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe anëtarë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Nga verifikimi, për 3 persona rezultoi se figurojnë në dokumentacionin e ish-Sigurimit të Shtetit; dy persona si subjekte proceduese ish-gjyqtar dhe ish-prokuror në procese penale politike (NS, FL) dhe një person si bashkëpunëtor (SV)”- .

Ndërsa për rastin e prokurorit Bujar Sheshi, ky autoritet thotë:

“Me kërkesë nga Prokuroria e Përgjithshme është bërë verifikimi i figurës për kandidatët për anëtarë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Nga verifikimi, Autoriteti ka dalë me vendimin Nr.12, datë 22.01.2019, që ka të bëjë me subjektin e verifikuar (BSH), për të cilin ka rezultuar se figuron në dokumentacionin e ish-Sigurimit të Shtetit”.

Nuk janë vetëm institucionet e reja të drejtësisë që kërkojnë informacion, por edhe partitë politike.

“Me kërkesë të dy partive politike (Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet; Aleanca Popullore për Drejtësi), janë verifikuar 285 persona në kuadër të verifikimit të figurës për kandidatët për deputetë në Kuvendin e Shqipërisë, për zgjedhjet e 25 Qershorit. Nga verifikimi, 4 persona figurojnë në dokumentacionin e ish-Sigurimit të Shtetit (XHA, RT, FT, ZG)”.

Edhe Ministria e Brendshme është interesuar të zbulojë se cilët janë ish-spiunët e Sigurimit të Shtetit në radhët e saj.

“Me kërkesë nga Ministria e Brendshme janë verifikuar 30 persona, në kuadër të verifikimit të figurës përpara emërimeve ose ngritjeve në detyrë. Një person figuron në dokumentacionin e ish-Sigurimit të Shtetit (AXH)”.

Ky autoritet ka zbubuar edhe disa bashkëpuntorë në Akademinë e Shkencave dhe Fakultetin Ekonomik në Tiranë.

“Me kërkesë nga Akademia e Shkencave janë verifikuar të gjitha kandidaturat në kuadër të verifikimit të figurës përpara emërimeve ose ngritjes në detyrë. Dy persona figurojnë në dokumentacionin e ish-Sigurimit të Shtetit (GjSh, IM). Nga Fakulteti Ekonomik i Universitetit të Tiranës janë verifikuar 116 persona. Dy persona figurojnë në dokumentacionin e ish-Sigurimit të Shtetit (AM, IK)”.

Numrin më të madh të kërkesave për verifikim e ka Ministria e Europës dhe Punëve të Jashtme.

“Me kërkesë nga MEPJ janë verifikuar 234 persona, nga të cilët 7 persona – (FR), (EM), (LlK), (JSh), (GS), (AA), dhe (AD), – figurojnë në dokumentacionin e ish-Sigurimit të Shtetit”.

Agjencia e spiunazhit shqiptar SHISH ka kërkuar verifikimin e 45 persona që punojnë në këtë institucion.

“Janë verifikuar 50% e personave, pjesa tjetër janë në proces verifikimi. (KP), (QD) dhe (RM) janë persona në dokumentacionin e ish-Sigurimit të Shtetit”.

Autoriteti i dosjeve ka kaluar në skaner edhe 25 persona që kryejnë funksione në pushtetin vendor.

“Rezultoi se (DHS) figuron në dokumentacionin e ish-Sigurimit të Shtetit, po ashtu edhe (ZK)”.

Në Gardën e Republikës, nga 7 persona të kontrolluar, njëri prej tyre ka rezultuar me dosje, ndërsa nga 4 kandidatët për komisioner pranë Avokatit të Popullit, njëri ka dosje, sikurse edhe njëri prej anëtarëve të Këshillit Drejtues të Radio Televizionit Publik Shqiptar, me inicialet PP.

MUND TË KOMENTOSH

avatar
  Subscribe  
Më njofto