Disa ditë më parë kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj promovoi në profilin e tij në “Facebook” vendosjen e një memoriali për dëshmorët e 4 shkurtit.
“75 Vjetori i Masakrës së 4 Shkurtit, ku 84 qytetarë të Tiranës u masakruan nga pushtuesit. Shumë i lumtur që bashkë me kolegët e Këshillit Bashkiak morëm vendimin për vendosjen e një memoriali për dëshmorët e 4 Shkurtit. Në këtë 75 Vjetor, nuk lipset të marrim pushkën për atdhe, por t’i përvishemi punës.”, shkroi Veliaj.
Por pikërisht ky postim ka nervozuar studiuesin Kastriot Dervishi, i cili e quan as më shumë dhe as më pak se sa një mufkë këtë të Veliajt.
“Një mufkë tjetër nga kryebashkiaku. I shkojnë prapa edhe anëtarët e këshillit.”, komenton Dervishi.
Thelbi i shqetësimit të historianit është se vrasjet e 4 shkurtit nuk i bënë pushtuesit, por vetë shqiptarët.
“Cili pushtues i vrau këta për të cilët paska vendosur pllakë përkujtimore? Të gjitha vrasjet e 4 shkurtit 1944 i kanë bërë shqiptarët dhe jo ndonjë pushtues. “84 qytetarët tiranas” të identifikuar kanë vetëm 27 emra. Edhe ata, një pjesë jo e vogël nuk janë nga Tirana, madje ka edhe italianë e malazezë.”, argumenton Dervishi.
“Imagjino çfarë do kuptojë populli nga një pllakë kur as kryetari i bashkisë nuk e kupton atë që vendos.”, vazhdon më tej ai, duke theksuar se Veliaj i përmbahet pikë për pikë historiografisë dhe propagandës komuniste, edhe pse është i ri.