Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, është takuar me ambasadorin e SHBA-së në Prishtinë, Philip Kosnett.
Takimi është njoftuar nga vetë kreu i qeverisë në faqen e tij në “Facebook”, ku Haradinaj shkruan se marrëdhënies mes vendeve janë të pacënueshme pavarësisht dallimeve në opinione lidhur me çështje të ndryshe, ku nënkuptohet taksa 100% ndaj mallrave serbe.
“Kosova mbetet e vendosur në ruajtjen e miqësisë dhe përherë besnike ndaj aleatit të saj strategjik, ShBA-së. Në takim të rregullt pune me ambasadorin amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett, bashkëbiseduam për intensifikimin e angazhimeve të përbashkëta në fuqizimin e Kosovës në të gjitha aspektet dhe avancimin e agjendës euro-atlantike të vendit tonë. Marrëdhënia e ngushtë ndërmjet Kosovës dhe Amerikës është e pacenueshme, pa marrë parasyshë dallimin eventual në opinione.” – shkruan Haradinaj.
SHBA-ja nëpërmjet ambasadorit të saj por edhe zyrtarëve të tjerë i ka bërë thirrje qeverisë së Kosovës që të heqë taksën ndaj Serbisë dhe të ulet në tavolinën e bisedimeve për të arritur një marrëveshje me Beogradin.