Ish-presidenti amerikan Jimmy Carter fiton sërish çmimin “Grammy” për albumin e fjalimeve “Besimi-një udhëtim për të gjithë”.
Në moshën 94-vjeçare Carter është fituesi i tretë më i vjetër në historinë e çmimeve “Grammy”, shkruan “Huffington Post”. Ai ndjek komedianin George Burns, i cili fitoi një të tillë në 1991 në moshën 95 vjeç dhe muzikantin bluz Pinetop Perkins, i cili fitoi në vitin 2011 në moshën 97- vjeçare.
Që kur u largua nga zyra në vitin 1981, Carter u angazhua me punë filantropike. Ish-presidenti gjithashtu shkroi një libër në vitin 2006 me titull “Palestina: Paqe Jo Aparteid”, i cili u pa nga shumë njerëz si kritik ndaj veprimeve izraelite ndaj palestinezëve.
Që kur presidenti Donald Trump mori detyrën, 94-vjeçari është bërë mjaft kritik, shkruan “Breitbart”.
“Nëse do të isha aq budalla sa të ndieja se mund të isha dhe të bëhesha president, mendoj se gjëja e parë që do të bëja do të ishte ndryshimi i të gjitha politikave që presidenti Trump ka filluar që kur ai ka qenë në detyrë”, tha Carter në vitin 2018.
Carter gjithashtu u shpreh në vitin 2018 se Jezu Krishti do të ishte në favor të martesës mes njerëzve të të njëjtit seks.
“Unë besoj se Jezusi do të miratonte martesën homoseksuale”,tha ai në një intervistë.
“Unë mendoj se Jezusi do të inkurajonte çdo çështje dashurie nëse do të ishte e sinqertë dhe nuk do të ishte e dëmshme për askënd tjetër dhe nuk e shoh se martesa e homoseksualëve dëmton askënd tjetër”.
Dy presidentë të tjerë kanë fituar “Grammy”: Bill Clinton dhe Barack Obama.