Presidenti Ilir Meta, në një intervistë për “ALB UK TV”, ka folur sërish në lidhje me çështjen e Kosovës, ku ka thënë se ardhmja e Ballkanit nuk është ndryshimi i kufijve.
Në këtë intervistë Meta ka folur dhe rreth negociatave të Shqipërisë me BE-së, dhe shtoi se do donte që të intensifikohej marrëdhënia e vendit tonë me unionin.
“Gjatë këtij viti unë do të doja shumë që ne të çelnim negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Do të ishte një arritje pozitive për Shqipërinë dhe këtë ta arrinim bashkë me fqinjën tonë, Maqedoninë, që arriti një sukses të madh duke zgjidhur çështjen e emrit me Greqinë, duke qenë e gatshme tashmë për t’u anëtarësuar edhe në NATO.
Së dyti do të dëshiroja shumë që të kemi edhe një finalizim të suksesshëm të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, pasi kjo do të ishte vendimtare për forcimin e paqes, stabilitetit dhe të bashkëjetesës në rajonin tonë, por edhe për të garantuar perspektivën europiane të dy vendeve, si të Serbisë edhe të Kosovës njëkohësisht”- deklaroi Meta.