Vetëm 5 ditë para protestës dhe disa muaj para mbajtjes së zgjedhjeve vendore opozita ka shkruar qartësisht se kërkon një qeveri tranzitore dhe zgjedhje të parakohshme parlamentare.
Por për çfarë e ka fjalën opozita?
E shprehur në një platformë bashkëpunimi mes koalicionit opozitar, qeveria tranzitore do të krijohet për 4 çështje kyçe: zgjedhje të parakohshme të përgjithshme, zgjedhje të lira dhe të ndershme, krijimin e klimës së besimit për Reformën në Drejtësi dhe përshpejtimin e negociatave për anëtarësimin në BE.
Të renditura punët e qeverisë tranzitore janë:
” 1. Kthimin e legjitimitetit politik të qeverisjes në vend, nëpërmjet zgjedhjeve të parakohshme parlamentare
- Krijimin e kushteve të domosdoshme për zgjedhje të lira dhe të ndershme, parlamentare dhe vendore në Shqipëri, përmes dhënies fund të kapjes së shtetit nga krimi i organizuar, oligarkia dhe korrupsioni i lartë shtetëror; realizimin e Reformës Zgjedhore dhe ndjekjen e zbatimit të saj, me fokus të veçantë shkëputjen e lidhjes mes politikës dhe krimit, luftën ndaj fenomenit masiv të blerjes së votave, intimidimit kriminal mbi zgjedhësit, presionit mbi median, si dhe eleminimin e pabarazisë mes partive politike pjesëmarrëse në zgjedhje;
- krijimin e klimës së besimit për zbatimin e Reformës në Drejtësi, jashtë çdo ndërhyrje politike;
- krijimin e kushteve të nevojshme për të përshpejtuar nisjen e negociatave të Shqipërisë për antarësimin në Bashkimin Europian dhe ndërmarrjen e çdo Reforme të nevojshme për këtë qëllim.”
Deri më tani opozita ka hedhur e zeza mbi të bardhë këto 4 qëllime të qeverisë tranzitore, të cilat priten të shoqërohen me detajime të mëtejshme, edhe pas protestës së 16 shkurtit./Hashtag.al