Vendosni fjalën kyçe....

Kryemadhi: 16 shkurti protesta e gjithë shqiptarëve, zgjedhje të lira e të parakohshme pa Ramën


Kryetarja e LSI-së, Kryemadhi, tha pas daljes nga Kuvendi se Rama nuk e ka problem t’i bullizojë shqiptarë çdo ditë e më shumë.

Ajo tha se kryeministri aktual është më qesharaku dhe i papërgjegjshmi në 27 vite tranzicion në vend ndërsa theksoi se ai bën të njëjtën gjë me ministrat e tij, me Partinë Socialiste, me opozitën dhe të gjithë shqiptarët.

“Sigurisht që Kryeministri nuk e ka problem t’i bullizojë shqiptarët çdo ditë e më shumë. Është e disata herë që ky kryeministër rrugaç ka bullizuar shqiptarët në radhë të parë duke  i konsideruar  me organet gjenitale.

Më pas vazhdon dhe bullizon pafundësisht deputetët në Parlament. Vazhdon dhe bullizon dhe anëtarët e Partisë Socialiste, vazhdon dhe bullizon dhe ministrat e tij. Ka pasur Shqipëria në 27 vite tranzicion kryeministra, por kurrë nuk kemi pasur kryeministër qesharak, kryeministër që krijon incidente të tilla, papërgjegjshmëri dhe mbi të gjitha një defiçence mendore, e cila për hir të së vërtetës duhet t’i bëjmë një propozim Parlamentit, por ndoshta dhe shqiptarët vetë, që të gjithë ata që marrin poste drejtuese, qofshin këto që nga Presidenti dhe deri te ministrat e qeverisë, duhet të bëjnë analizën psikike dhe klinike, të çdo drejtuesi, i cili ka një post shtetëror, që nuk përfaqëson vetveten e tij, por përfaqëson qytetarët.” – tha Kryemadhi.

Më tej ajo foli për protestën e 16 shkurtit duke deklaruar se ajo do jetë e gjithë shqiptarëve ndërsa tha se Rama është një kryeministër në ikje.

“Protesta është e të gjithë shqiptarëve.  Unë jam e bindur që edhe ju gazetarët do të jeni në atë protestë, sepse shikojmë një bullizim të tillë ndaj deputetëve. Ju para disa kohësh patë plumba në shtëpitë e gazetarëve. Do të shikojmë çdo ditë e më shumë reagim kriminal të një njeriu në ikje, i cili është i çmendur dhe çdo ditë po krijon problem jo vetëm për shqiptarët, por në radhë të parë edhe për veten e tij e familjarët.” – shtoi ajo.

Kryemadhi tha se opozita do kërkojë zgjidhje politike, qeveri kalimtare dhe zgjedhje të parakohshme, pasi kjo është rruga e vetme për zgjedhje të lira e të ndershme dhe hapjen e negociatave me BE-në.

“Zgjidhja politike është e qartë. Ajo ç’ka ka propozuar opozita në marrëveshjen e saj, qeveri tranzitore ose kalimtare, e cila iu krijon shqiptarëve zgjedhje të lira dhe të ndershme, dhe hap rrugën e negociatave. Mos harroni, ne sot ratifikuam një marrëveshje të Maqedonisë, ku prej 15 vitesh Maqedonia gjeti një zgjidhje dhe tregoi se si një klasë politike gjeti një zgjidhje të një konflikti 15 vjeçar për emrin e saj, ku sot midis Greqisë dhe Maqedonisë ka një paqe për sa i përket emrit, kemi Maqedoninë e Veriut.

I vetmi njeri që e mban mend sot Shqipërinë është Edi Rama. Dhe mendoj që shqiptarët sot më shumë se kurrë u ka ardhur në majë të hundës me varfërinë që ka pllakosur, me shkeljen e çdo të drejte të tyre. Dhe mendoj që data 16 shkurt do të jetë fundi i kësaj tiranie psikologjike, ekonomike, politike edhe fizike të shqiptarëve.” – mbylli Kryemadhi.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *