Kryetarja e LSI-së, Kryemadhi, po zhvillon një takim urgjent me kreun e PD-së, Basha, 20 orë para protestës së nesërme.
Ajo shoqërohet nga kreu i grupit parlamentar, Vasili.
Nuk ka ende hollësi mbi vendimet që do merren por në qendër të takimit është protesta e 16 shkurtit. Protesta e thirrur nga opozita nis nesër në orën 11:00.
Në një deklaratë të bërë mbrëmjen e djeshme në emisionin “Opinion”, Kryemadhi theksoi se protesta nesërme është e të gjithë qytetarëve dhe do jetë më e madhja ndonjëherë.
“Protesta e së shtunës është protesta e halleve shqiptare, e 400 mijë të rinjve që kanë ikur nga Shqipëria, e bizneseve të vogla që kanë falimentuar, e banorëve të Unazës së Re që iu grabit prona, e të gjithë mjekëve e infermierëve, e policëve që nuk marrin orët shtesë. Protesta e 16 shkurtit ka në thelb një gjë, negociatat me Bashkimin Europian. Moshapja e negociatave më 23 qershor dhe hapja për Maqedoninë para Shqipërisë do të jetë fatale.”– tha Kryemadhi.
Opozita ka akuzuar kryeministrin Rama se po përdor politikisht policinë dhe institucionet e tjera për të penguar protestën e opozitës, duke iu referuar njoftimeve të policisë, që ka deklaruar se në protestë pritet të marrin pjesë persona me rekorde kriminale si dhe nisjes së punimeve në autostradën Tiranë-Durrës dhe në rrugën Tiranë-Kamëz.