Vendosni fjalën kyçe....

Donald Trump gati të shpallë gjendjen emergjente për murin me Meksikën


 

Presidenti amerikan, Donald Trump po planifikon të shpallë emergjencën kombëtare lidhur me murin që po ndërtohet në kufi me Meksikën.

Sipas Shtëpisë së Bardhë, Trump do të nënshkrujë projektligjin dypartiak për të shmangur mbylljen e qeverisë amerikane dhe më pas do të shpallë gjendjen e emergjencës kombëtare për të financuar projektin e tij për murin me Meksikën.

“BBC” shkruan se demokratët janë përgjigjur duke e akuzuar atë për “shpërdorim të pushtetit” dhe një “veprim të paligjshëm”.

Ndërtimi i murit ishte premtimi kryesor zgjedhor i Trump, por si president ai deri tani nuk ka qenë në gjendje të marrë fondet e nevojshme për ta avancuar atë. Me këtë hap, Trump mund të shfrytëzojë fondet ushtarake për murin SHBA-Meksikë.

Duke folur para Senatit, lideri i shumicës në këtë dhomë, Mçonnell, ka njoftuar për planin e Trumpit, pak para se Dhoma e Përfaqësuesve të votojë për projektligjin e krijuar nga kompromisi i të dyja palëve.

Legjislacioni në fjalë, të cilin pritet ta nënshkruajë Trump, është arritur pas kompromisit mes republikanëve dhe demokratëve dhe përfshin 1.3 miliard dollarë për sigurinë kufitare, duke përfshirë barrierat fizike, mirëpo nuk financon premtimin e presidentit amerikan për murin.

“Presidenti është duke realizuar sërish premtimin për ndërtimin e murit, mbrojtjen e kufijve dhe sigurimit të shtetit tonë të mrekullueshëm”, ka thënë zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Sanders.
Ajo ka thënë se Trump do të marrë “një tjetër vendim ekzekutiv, duke përfshirë emergjencën kombëtare, për t’u siguruar se do të ndalohet kriza humanitare dhe ajo e sigurisë në kufi”.

Gjendja e jashtëzakonshme shpallet në kohë krizash. Në këtë rast, Trump thotë se kriza është duke u shkaktuar nga migrantët që vijnë në kufirin SHBA-Meksikë.

Ekspertët thonë se deklarimi i një emergjence kombëtare do t’i japë presidentit Trump fuqinë që të anashkalojë procesin e zakonshëm politik.

Ai do të ishte në gjendje të përdorte paratë nga buxhetet ushtarake ose ato që përdoren për fatkeqësitë natyre, për të paguar për murin.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *