Në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor përveç Shqipërisë fondet për bujqësinë kanalizohen si mbështetje direkte për fermerët, kryesisht në investime që mbështetin prodhimin.
Sipas një analize që ka bërë Komisioni Europian në lidhje me politikat bujqësore në Ballkanin Perëndimor për periudhën 2010-2015 vihet në dukje fakti se Shqipëria jo vetëm që ka buxhetin më të ulët për bujqësinë në Rajon, por edhe këto pak fonde nuk shkojnë në mbështetje direkte të prodhimit siç aplikohet në vende të tjera.
Përllogaritjet e KE tregojnë se, fondet buxhetore për bujqësinë për hektarë në vitin 2015 ishin 37 euro në Shqipëri, 55 euro në Bosnje e Hercegovinë, 62 euro në Serbi, 90 euro në Malin e Zi, 101 euro në në Maqedoni dhe 143 euro në Kosovë.
Por përbërja e mbështetjes totale për bujqësinë ndryshon ndjeshëm sipas vendeve. Pjesa e mbështetjes direkte për prodhuesin është e lartë në Bosnje e Hercegovinë (rreth 90 %), Serbi (rreth 80 % mesatarisht në 2010-2015) dhe Maqedoni (rreth 70 % mesatarisht), teksa është shumë e ulët në Shqipëri dhe në Malin e Zi.
Në terma relativë, mbështetja direkte për hektarë në vitin 2015 përbënte më pak se 6 euro në Shqipëri, 23 euro në Malin e Zi, rreth 50 euro për sejcilën në Bosnje dhe Serbi, 60 euro në Maqedoni dhe 67 euro në Kosovë.
Të dhënat tregojnë se niveli i mbështetjes direkte për prodhuesin është ende ndjeshëm mëi ulët sesa ai në BE, ku vlera mesatare e mbështetjes direkte në vitin 2015 ishte 236euro/ha, me një variancë midis 83 euro/ha në Letoni dhe 451 euro/ha në Maltë.
Shumica e vendeve në rajon tregojnë një tendencë në rritje për fondet e disbursuara për masat e mbështetjes direkte për prodhuesin. Që prej vitit 2010, rritja më e fortë dhe konstante e financimit për mbështetjen direkte për prodhuesin është regjistruar në Kosovë dhe Serbi.
Në Shqipëri mbështetja e investimeve në fermë ra ndjeshëm gjatë periudhës së studimit: nga 6,6 milionë euro në vitin 2010, në 1,1 milionë euro në vitin 2015. Kjo tendencë rënieje në nivelet e mbështetjes së investimeve në fermë kryesisht u shkaktua nga reduktimi i mbështetjes për plantacionet e kulturave bimore të përhershme (veçanërisht ullinjve).
VINI RE: Ky artikull është pronë intelektuale e Monitor.al