Vendosni fjalën kyçe....

Taktikat për të tkurrur protestën e opozitës


Nesër më 16 shkurt do të zhvillohet protesta e opozitës, e paralajmëruar si më e madhja në vitet e fundit. Mirëpo duket se ka disa tentativa nga autoritetet për të tkurrur apo minimizuar këtë protestë.

Kjo përmes dy taktikave, e para duke bllokuar autostradën Tiranë-Durrës, si një nga akset kryesore që të sjellin drejt Tiranës. Po ashtu edhe përmes Policisë së Shtetit që nuk ka dhënë leje që protesta të zhvillohet në të tre rrugët e kërkuara nga opozita, por vetëm në njërën prej tyre. E sqarojmë nga fillimi.

Së pari, kemi nisjen e punimeve në autostradën Tiranë-Durrës. Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe Policia e Qarkullimit Rrugor informuan vetëm një ditë më parë se po nisnin punimet në dy segmente rrugore, Tiranë – Qafë Kashar dhe Tiranë – Kamëz.

“1.Vazhdimi i punimeve për ndërtimin e (2) tombinove të reja rrethore në segmentin rrugor (autostrada) Tiranë – Qafë Kashar (kthesa Rinas) në kilometrin 6+600 dhe 6+800 (Kastrati & Alba-Elettrica), për ndërtimin e pusetave hyrëse dhe dalëse të portaleve të tombinove. Për këtë arsye gjatë kohës së kryerjes së këtyre punimeve do të realizohet devijimi i trafikut në km 6+500 në drejtimin Tiranë – Durrës dhe në km 7+550 në drejtimin Durrës – Tiranë në rrugët dytësore në këto pika. Trafiku në këto segmente do të bëhet vetëm në një kalim. Lëvizja e mjeteve në këtë segment rrugor do të kufizohet brenda harkut kohor prej datës 14.02.2019 deri në datë 19.02.2019, sipas Planit të Menaxhimit të Trafikut të miratuar. 

2.Gjithashtu në segmentin rrugor Tiranë – Kamëz, mbas mbikalimit të Kamzës, do të realizohet riparimi i shtresave asfaltike të dëmtuara.Punimet në këtë segment rrugor do të realizohen duke kufizuar trafikun e mjeteve në një korsi të lëvizjes gjatë kohës së kryerjes së punimeve. Lëvizja e mjeteve në këtë segment rrugor do të kufizohet brenda harkut kohor prej datës 14.02.2019 deri në datë 17.02.2019, sipas Planit të Menaxhimit të Trafikut të miratuar.”, thuhet në njoftim.

Opozita e konsideroi këtë si një tentativë për të penguar protestën e nesërme. Madje deputeti Endri Hasa deklaroi se Rama ishte gati të bllokonte edhe tunelin e Elbasanit. Por për aksin Tiranë-Elbasan nuk ka njoftim për punime.

Së dyti, ka patur përplasje mes policisë dhe opozitës lidhur me lejen për protestën. Policia e Tiranës ka refuzuar lejen për protestë pa afat të Partisë Demokratike.

Selia blu në kërkesën drejtuar policisë kërkonte që leja për tubim që nis në orën 11:00 të jetë pa një afat të përcaktuar se kur do të mbarojë. Por, kërkesa është kthyer me argumentin që të specifikohet orari se kur do të mbyllet tubimi para selisë së qeverisë, ndërsa lë afat orën 24:00 të së shtunës.

Detaji tjetër është që Policia e Shtetit ka njoftuar se nuk do të lejojë që protesta të zhvillohet edhe te lulishtja te “Piramida” dhe rruga “Ismail Qemali”, në dy rrugicat që rrethojnë godinën e Kryeministrisë.

Demokratëve u kërkohet përmes një letre zyrtare që protesta të zhvillohet përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit” dhe në sheshin përpara Kryeministrisë, pasi në dy anët e godinës qëndrojnë forcat e policisë për të garantuar sigurinë.

Por, opozita është kundërpërgjigjur. Përmes një njoftimi zyrtar,  Partia Demokratike deklaroi se policia nuk ka asnjë autoritet ligjor për të vendosur vendin e zhvillimit të protestës dhe nuk pret leje.

“Sipas ligjit, Policia nuk ka asnjë autoritet ligjor për të vendosur vendin e zhvillimit të protestës. Partia Demokratike nuk pret leje nga Policia e Shtetit për zhvillimin e tubimit, sepse ajo është një e drejtë kushtetuese e opozitës dhe qytetarëve.

Kjo është arsyeja se përse ligji parashikon njoftimin e Policisë dhe jo kërkesën për leje.”, thuhet në njoftimin e PD-së.

Ku do jetë Rama?

Ndërkohë që nesër në Tiranë, poshtë zyrës së tij qytetarët do të protestojnë, kryeministri Edi Rama dotë jetë në një takim në Vlorë.

Vendndodhjen e kryeministrit më 16 shkurt e ka zbuluar ish-ministri Damian Gjiknuri në një postim në facebook.

“Në kuadër të takimeve publike të turit “Bashkia që duam”, Kryeministri Edi Rama do të jetë të shtunën në qytetin e Vlorës. Vëmendja e shtuar e qeverisë për Qarkun e Vlorës tashmë është e prekshme përmes investimeve të kryera dhe projekteve të planifikuara. Ftoj të gjithë qytetarët të jenë në ora 10:30 në Sheshin e Flamurit.” – shkruan Gjiknuri.

Në një farë mënyre, mitingu që Rama do mbajë në Vlorë është konsideruar në një kundërprotestë.

Gazetarë në protestë

Në protestën e 16 shkurtit, pritet të marrin pjesë jo vetëm qytetarët por edhe gazetarë të njohur. Ylli Rakipi, Fatos Lubonja dhe Ilir Babaramo kanë konfirmuar se do marrin pjesë në protestë jo si militantë partie, por gjithsesi do të marrin pjesë si gazetarë dhe qytetarë./Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *