Kryetarja e LSI-së, Kryemadhi, ka deklaruar se sot më shumë burra e gra se asnjëherë tjetër rrëzuan nga pushteti Edi Ramën, duke i thënë se ai nuk është më kryeministri i vendit.
Ajo falenderoi protestuesit për qëndresën e tyre dhe theksoi se qytetarët i treguan kreut të qeverisë se është i ikur.
“Sot protesta ishte vetëm fillimi. Vetëm fillimi i atij reagimi qytetar, ku për hir të së vërtetës na bën të ndihemi krenarë për qytetarinë, atdhedashurinë dhe për dashurinë që kanë shqiptarët për vendin e tyre.
Sot protesta, e cila kishte më shumë djem dhe vajza, burra dhe gra, se asnjëherë tjetër nga çdo protestë, apo çdo manifestim i madh që është bërë në Shqipëri, ishte një protestë që rrëzoi Edi Ramën. E rrëzoi Edi Ramën dhe për t’i treguar bandave dhe krimit të organizuar që e menaxhojnë atë që ai nuk është më kryeministri i shqiptarëve.” – tha Kryemadhi.
Më tej ajo theksoi se pavarësisht përpjekjeve të Ramës për të zbehur protestën me anti-mitingun në Vlorë, sërish qytetarët i dhanë përgjigjen e duhur atij dhe se nuk do arrijë t’i mposhtë qytetarët edhe sikur të përdorë arsenal bërthamor.
“Frikacaku Edi Rama sot me 2 mijë karriget e tij në Vlorë, kërkonte të bënte anti mitingun. Por ishte përgjigja më e mirë që i dhanë shqiptarët sot nga Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”. Nga ai bulevard ku me qindra e mijëra shqiptarë kanë dhënë gjakun për vendin e tyre, që kjo Shqipëri të jetë e lirë. Sot Edi Ramës shqiptarët i treguan edhe njëherë që ti ke ikur zotëri. Por ke ikur si një frikacak dhe nuk gjen vend ku të fshihesh. Sot Edi Ramës shqiptarët i treguan që mund të përdori çdo lloj arme, por ata nuk i tut dot.
Sot Edi Rama e tregoi edhe njëherë se është frikacak, por mbi të gjitha tregoi se është edhe vetëm. Sot Edi Rama mori një mësim shumë të mirë. Por mësime të tjera e presin akoma më shumë. Nuk ka parë gjë akoma. Jo gaz lotsjellës, jo plumba plastikë të përdori ndaj qytetarëve, por sikur edhe të gjithë arsenalin bërthamor të Bashkimit Sovjetik dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ta mbledhë kundër popullit të tij, ai nuk mund ta mundi dot.” – shtoi ajo.
Në fund Kryemadhi tha se populli është kundër politikës së Edi Ramës, kundër ngritjes së çmimit të energjisë elektrike, kundër taksës dhe çmimeve të larta, kundër shfrytëzimit që u bëhet në mënyrën më makabre shqiptarëve, kundër taksidarëve të Edi Ramës që falimentojnë bizneset e shqiptarëve, kundër shëndetësisë më të shtrenjtë që Edi Rama e promovon si shëndetësia falas dhe kundër çdo lloj grabitjeje që Edi Rama i bën çdo ditë jetës shqiptare.
“Sot filloi rrënimi, filloi rrënimi i botës së krimit që përfaqësohet nga Edi Rama. Ditë të tjera do të vijnë edhe më të ethshme, edhe me më makth për Edi Ramën, por do të vijnë ditë më të bukura për shqiptarë, ku zemrat e tyre do të vlojnë nga dëshira dhe nga dashuria për vendin e tyre.
Me lejoni edhe një herë që me dorë në zemër dhe duke u falënderuar për pjesëmarrjen dhe angazhimin paqësore, qytetarë dhe model të të gjithë protestuesve, të cilët nuk u bënë pre e provokimeve të njerëzve të Edi Ramës, por nuk u bënë pre e as të gardistëve, por edhe të policisë së Edi Ramës.
Sot shqiptarët përballuan me një devotshmëri të paparë mbi 20 herë sulmin me gaz lotsjellës. Gra dhe vajza ku në sytë e tyre lotonin dhe në gojët e tyre kalonte gazi helmues i Edi Ramës, nuk mund të helmojë dot shpirtin dhe të ardhmen e shqiptarëve. Sot më shumë se kurrë shqiptarët kanë një të ardhme, kanë një të ardhme të ndritur sepse Edi Rama ka ikur, ka ikur prandaj ta çojmë deri në fund këtë rrugë që kemi nisur.” – mbylli Kryemadhi.