Vendosni fjalën kyçe....

Mijëra qytetarë drejt Tiranës për protestë (FOTO)


Sot në orën 11:00 nis zyrtarisht protesta e opozitës dhe që në orët e para të mëngjesit dhjetëra autobusë dhe furgonë janë nisur nga rrethet drejt Tiranës.

Sipas të dhënave të para të Partisë Demokratike janë nisur më shumë se 50 mijë qytetarë drejt Tiranës.

Qarku me pjesëmarrjen më të madhe të protestuesve është ai i Durrësit, më pas vjen Shkodra, Elbasani e Lezha.

Kreu i PD-së në Fier dhe deputeti Luan Baci, i ka bërë apel policisë të mos provokojë qytetarët. Ai tha se protestuesit e nisur sot nga Fieri janë të gjithë qytetarë pa precedentë penalë dhe nëse do ketë persona me rekorde kriminale sipas tij do jenë të infiltruar.

“Në radhët e protestuese fierak nuk ka asnjë person me precedent penal. Do të përballen me protestuesit nëse do të na provokojnë. Kemi marr targat e makinave që po nisen dhe nëse na raportohen probleme do të reagojmë”, deklaroi Baçi.

SITUATA NË QARQE:

GJIROKASTER- 4 autobusë dhe 250 mjete private janë nisur rreth orës 05:00 të mëngjesit nga Gjirokastra nën organizmin e drejtuesve të PD në këtë qark. Sipas të dhënave të PD-së, janë nisur nga Gjirokastra rreth 2000 qytetarë.

BERAT- 8 autobusë dhe 180 mjete të vogla janë nisur nga Berati. 6 autobusë janë nisur nga Skrapari. Ka pasur edhe tensione me policinë pasi një autobus është ndalur nga policia, por më pas autobusi është lejuar të kalojë. Autobusi ishte bllokuar nga policia pasi nuk kishte fletë udhëzimi drejt Tiranës. 3000 qytetarë besohet se janë nisur drejt Tiranës.

SHKODER- Edhe në Shkodër ka pasur një organizim nga drejtuesit e PD.  Janë rreth 30 autobusë dhe furgonë nga Shkodra që janë nisur para teatrit ‘Migjeni’ në drejtim të Tiranës. Në kryebushat ka pasur një kontroll të protestuesve në autobus. 8000 qytetarë sipas PD-së janë nisur për protestë.

DIBER- Sipas PD janë 3500 qytetarë që janë nisur nga qarku Dibër për të protestuar në Tiranë. Ka pasur postblloqe nga policia në Maqellarë dhe në Burrel dhe policia ka qenë korrekte.

FIER- Rreth orës 07:00 simpatizantë dhe qytetarë të ndryshëm janë nisur nga Fieri dhe rrethinat. Flitet për 4800 qytetarë. Deputeti i PD Luan Baci tha se janë mbi 300 mjete të vogla si dhe autobusët nisur nga ky qark drejt Tiranës. Policia ka ushtruar kontrolle dhe më pas ka lënë të lirë qytetarët për të udhëtuar drejt Tiranë.

LEZHE- Janë dhjetëra automjete dhe autobusë që janë nisur në drejtim të Tiranës edhe nga Lezha për të transportuar rreth 6800 qytetarë.

VLORE- Nga Vlora fillimisht u konfirmuan nga drejtuesit e PD rreth 1800 qytetarë të ndarë në 13 autobusë dhe makina të vogla. Por më pas ky numër u rrith në 4500 qytetarë; Rama pritet të zhvillojë një takim me qytetarët në këtë qytet dhe mohohet se do të zhvillohet antimitig.

KORCE- Shumica e qytetarëve nga Korça janë nisur me 12 autobusë si dhe 10 mikrobusë. Shumë qytetarë nga Korça nuk kanë pasur mundësi të udhëtojnë për në Tiranë për shkak të mungesës së mjeteve. Një pjesë  kanë përdorur mjetet e tyre. Suipas PD-së nga Korça po vijnë 4200 qytetarë.

ELBASAN- Sipas PD janë 7500 qytetarë që pritet të marrin pjesë në protestën e opozitës. Sipas kreut të PD në Elbasan nisja do të nisë në orën 09:00 drejt Tiranë.

DURRES– Janë nisur 20 autobusë dhe furgonë si dhe mjete të vogla që janë nisur drejt Tiranë. Protestuesit kanë thënë se nuk kanë pasur vështirësi në autostradë. Kanë qenë 4 pika të nisjes së mjeteve nga qyteti bregdetar.9100 qytetarë është numri që sipas PD-së janë nisur drejt Tiranës.

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *