Vendosni fjalën kyçe....

SHBA paralajmëron BE-në, Pence përplaset ashpër me Merkelin e Mogerinin

Zëvendëspresidenti i SHBA-së, Mike Pence, shpërtheu në Mynih të Gjermanisë, teksa i shpalosi BE-së, listën e kërkesave të Uashingtonit.

Pence u përplas ashpër me kancelaren gjermane, Merkel dhe shefen e politikës së jashtme të BE-së, Mogherini, lidhur me Iranin dhe Rusinë.

“Vendet e BE duhet të ndalojnë minimin e sanksioneve të SHBA.-së kundër Iranit”, i tha Pence audiencës në Konferencën vjetore të Sigurisë në Mynih të shtunën, duke u bërë thirrje aleatëve evropianë të ndjekin udhëheqjen amerikane lidhur me marrëveshjen mbi programin bërthamor iranian.

Ai më parë kishte kritikuar ashpër vendet e BE për mos bashkëpunim me presionin e SHBA-së ndaj Iranit. Shtetet e Bashkuara u tërhoqën në mënyrë të njëanshme nga Plani i Përbashkët i Veprimit (JCPOA) vitin e kaluar, duke shprehur mosbesim ndaj Republikës Islamike dhe duke e akuzuar atë për kërcënimin e sigurisë globale. Irani i mohoi akuzat, ndërsa masa e marrë nga Uashingtoni u dënua nga BE-ja, Kina dhe Rusia.

Sanksionet e imponuara ndaj Teheranit prej SHBA-së nxitën BE-në të krijojë “Mjetin për Qëllime Speciale”(SPV), një plan për të mbrojtur kompanitë evropiane që bëjnë tregti me Iranin. Duke folur në kryeqytetin polak, Varshavë,Poloni përpara se të nisej drejt Mynihut, Pence paralajmëroi se ky “hap i keq-këshilluar” do të krijojë “më shumë distancë” mes Uashingtonit dhe BE.

Shefja e punëve të jashtme të BE-së, Federica Mogherini, nuk u duk aspak e shqetësuar nga paralajmërimi i fortë i Pence. Pas takimit me ministrin e jashtëm iranian, Mohammad Javad Zarif, në Mynih të premten, ajo përsëriti se JCPOA-ja, “vijon të përmbushë objektivat e saj dhe është vendimtare për sigurinë rajonale dhe globale”, tha zyra e saj.

Në sulmin e tij të flaktë, Pence i bëri thirrje BE-së të bashkohet me Uashingtonin në mbështetjen hapur të udhëheqësit të opozitës të Venezuelës, Juan Guaido, i cili shpalli veten si “presidenti i përkohshëm” muajin e kaluar.

Ai paralajmëroi gjithashtu aleatët e NATO-s se SHBA-ja “nuk do të qëndrojnë asnjanëse” teksa ata blejnë armë nga “kundërshtarët tanë”, duke nënkuptuar kontratën e nënshkruar kohët e fundit mes Turqisë dhe Rusisë për sistemet raketore të mbrojtjes ajrore “S-400”.

Pence goditi ashpër edhe ndërtimin e gazsjellësit “Nord Stream 2”, një tubacion nënujor nga Detit Balltik që do të furnizojë gazin rus në Gjermani. SHBA-ja “lavdëron” ato kombe që kishin “marrë qëndrim” kundër projektit dhe u kërkon “të tjerëve të bëjnë të njëjtën gjë”, tha Pence.

Zyrtarëve amerikanë, iu bashkuan Vendet Balltike dhe vende si Ukraina dhe Polonia, që kanë argumentuar se tubacioni i ri shkon kundër interesave të BE-së dhe do të privojë Kievin nga mbledhja e të ardhurave fitimprurëse nga transiti i gazit rus në Evropë. Këto pretendime janë kundërshtuar fuqishëm nga Berlini.

Është e drejtë dhe e rëndësishme që Evropa të “ruajë sovranitetin” mbi politikën e saj të energjisë dhe të ketë një shumëllojshmëri të furnizuesve të gazit, tha kancelarja Angela Merkel pak kohë para se Mike Pence të bënte vërejtjet e tij.

Duke mbrojtur ndërtimin e tubacionit me Rusinë, ajo tha se largimi i Moskës nga tregu evropian i gazit do të ishte një “sinjal i gabuar strategjik”.

“Gjeostrategjikisht, Evropa nuk mund të ketë interes në ndërprerjen e të gjitha marrëdhënieve me Rusinë.” – tha liderja gjermane. /Hashtag.al

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e RT

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *