Presidenti i Kosovës, Thaçi, ka deklaruar se spastrimi etnik në Kosovë në vitet 1998-1999 është bërë nga Serbia.
Ai e ka bërë deklaratën e sipërme gjatë një debati në Mynih të Gjermanisë ku po zhvillohet konferenca e sigurisë, shkruan Koha.net.
“E tërë bota e di se spastrimi etnik në Kosovë ka ndodhur nga shteti i Serbisë. Por është edhe një realitet i ri, ku në Kosovë kemi praninë ndërkombëtare. Për Asociacionin e komunave serbe, jemi pajtuar për të themeluar atë, por jemi pajtuar që ajo të themelohet në bazë të Kushtetutës së Kosovës dhe ligjeve të Kosovës. Keqkuptimi këtu është se Vuçiçi nuk e kupton se unë jam president i Kosovës së pavarur, të njohur nga mbi 100 shtete.
Ende shpresoj se, edhe pse do të jetë pothuajse e pamundshme për të arritur një marrëveshje, vazhdoj të besoj sepse ka gatishmëri për t’u ulur e diskutuar. Bashkimi Evropian po ndërmjetëson. Edhe SHBA-ja mbështet një zgjidhje. Ajo që është e re është se shpresoj, që edhe Rusia do të mbështesë zgjidhjen mes Kosovës dhe Serbisë. Jam shumë i bindur se ndërkombëtarët do të na ndihmojnë në arritjen e një marrëveshjeje.” – deklaroi Thaçi.
Kurse presidenti i Serbisë, Vuçiç, tha se ishte i gatshëm të ulej në bisedime me Prishtinën për arritjen e një marrëveshjeje por më herët tha se duhej hequr taksa 100% ndaj mallrave serbe.
Ai tha se marrëveshja mund të arrihet ende por për këtë duheshin bisedime.
“Pse Kosova nuk është edne anëtare e OKB-së? Apo e Interpolit, UNESCO-s. Kosova ka nevojë për negocim sepse s’është shtet i konsoliduar. Urrejmë termin e shkëmbimit të territorit, dhe për këtë e përdorim termin demarkacion. 45 milionë euro i humbim në muaj. Ne nuk duam me askënd tjetër të bëjmë diçka të tillë. Thaçi e di se unë jam i gatshëm për të biseduar çdo herë. Ne i respektojmë interesat e shqiptarëve, mirëpo kemi edhe interesat tona.” – tha Vuçiç.