Vendosni fjalën kyçe....

Lulzim Basha djeg mandatet parlamentare


Lulzim Basha vendos djegien e mandateve parlamentare.

“Kam vendosur t’i propozoj grupit parlamentar dhe forumeve më të larta politike djegien e mandateve të deputetëve tanë!”, tha në deklaratën e posaçme për mediet kryedemokrati Basha.

“Nuk kemi përballë një parti politike por një bandë.”, theksoi Basha, duke shtuar se deri më tani kanë ndjekur të gjitha rrugët legjitime.

“Duhet një qeveri që përfaqëson popullin”, tha më tej kryedemokrati.

Deklarata e tij u bë sot nga selia e PD-së, vetëm disa orë pas protestës së djeshme të opozitës.

Djegia e mandateve është artikuluar edhe më parë nga ish-kryeministri Sali Berisha.

Opozita ka shkruar qartësisht se kërkon një qeveri tranzitore dhe zgjedhje të parakohshme parlamentare. 4 kërkesat e opozitës janë: Zgjedhje të parakohshme të përgjithshme, zgjedhje të lira dhe të ndershme, krijimi i klimës së besimit për Reformën në Drejtësi dhe përshpejtimi i negociatave për anëtarësimin në BE.

Mijëra qytetarë u mblodhën dje në sheshin “Skënderbej” dhe pas kësaj filluan marshimin në drejtim të Kryeministrisë, ku kërkuan për 5 orë largimin e Edi Ramës dhe vendosjen e një qeverie tranzitore në Shqipëri, deri në zgjedhjet e parakohshme, të përgjithshme.

Protesta nisi në orët e para të mëngjesit, ku mijëra qyterarë të ardhur nga drejtime të ndryshme u dyndën para kryeministrisë dhe në gjithë bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Me pankarta në duar dhe me thirrje “Rama ik!” ata përshkuan gjithë gjatësinë e bulevardit për t’u ndalur poshtë zyrës së Ramës.

Rreth 1500 policë u thirrën nën armë për të siguruar mbarëajtjen e protestës. Që në orët e para të mëngjesit, në kryeqytet u vu re shtimi i forcave të sigurisë pranë Kryeministrisë dhe Piramidës, pavarësisht se kryeministri Rama nuk ishte në zyrë.

Në mbyllje të protestës, rreth orës 16:00, Basha lajmëroi protestën e re para Parlamentit, këtë të enjte më 21 shkurt./Hashtag.al

 

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *