Vendosni fjalën kyçe....

Basha kërcënon me djegie mandatesh, Rama që në sabah me ministrat, mbledh dhe grupin e PS


Vendimi i papritur i opozitës për të djegur mandatet duket se e ka zënë në befasi kryeministrin Edi Rama. Pasi kreu i PD-së Lulzim Basha mblodhi grupin parlamentar për të diskutuar për djegien e mandateve, Rama pritet të zhvillojë sot një takim me ministrat dhe më pas do të mbledhë grupin parlamentar të Partisë Socialiste.

Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me parlamentin, Elisa Spiropali bëri dje reagimin e parë lidhur me vendimin e Bashës, por nuk foli për ndonjë veprim pasues nga ana e maxhorancës.

“Lulzim Basha tha se do digjte qeverinë dhe paska vendosur të djegë opozitën! Sinqerisht nuk do ta dëshironim kurrsesi degradimin e tyre konstant, po në këto kushte, duhet pohuar kjo e keqe e ka një të mirë: Nuk do t’i marrin më rrogat për ta ndotur Parlamentin me baltë e bojë!”, janë fjalët e Spiropalit.

Kryetari i Partisë Demokratike përmes një deklarate të posaçme për mediet këtë të dielë, lajmëroi djegien e mandateve parlamentare të opozitës, pasi siç tha, e ka lexuar mjaft qartë mesazhin e popullit në protestën e së shtunës.

“Ndaj unë jam sot këtu për t’ju thënë me përgjegjësi të plotë se e kam lexuar vullnetin tuaj. Ndaj kam vendosur t’i propozoj grupit parlamentar dhe forumeve më të larta vendimmarrëse të Partisë Demokratike të Shqipërisë djegien e mandatave parlamentare në mbështetje të qëllimit dhe aspiratës që ju dje dëshmuat se është mbarëkombëtare, europiane dhe e pandalshme, mbrojtjen e demokracisë dhe shtetit të së drejtës, Shqipërinë si gjithë Europa, qeverinë tranzitore dhe zgjedhje të lira dhe të ndershme, parlament të popullit dhe jo të krimit”, u shpreh Basha.

Përmes kësaj opozita synon të shkojë në qeveri tranzitore dhe zgjedhje të parakoshme parlamentare. Ky vendim ka pasuar protestën e së shtunës.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *