Vetëm dy ditë pas protestës së opozitës, kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj ka shkarkuar nga detyra nënkryetaren e bashkisë Kozeta Mesiti, e cila ka protestuar kundër Ramës.
Mësohet se sot që herët në mëngjes, Veliaj ka firmosur shkarkimin e Mesitit si edhe të drejtorit të Tregjeve, Sokol Hysa, po ashtu i pranishëm në protestë.
Paraprakisht dyshohet se pjesëmarrja e tyre në protestën e së shtunës është bërë shkak për shkarkimin.
Mesiti dhe Hysa janë emëruar në detyrat respektive si propozime të PDIU-së, kur PS dhe PDIU ishin në koalicion.
Ditën e shtunë, Mesiti dhe Hysa u shfaqën në protestë në krah të kreut të PDIU-së, Shpëtim Idrizit, i cili ka publikuar edhe disa foto me ta. Duke dalë në protestën kundër Ramës, dy zyrtarët mesa duket i kanë humbur pikët me Veliajn, i cili nuk i ka toleruar duke urdhëruar menjëherë largimin e tyre nga detyra./Hashtag.al