Raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Evropian Knut Fleckenstein ka reaguar në lidhje me vendimin më të fundit të opozitës për djegien e mandateve parlamentare.
Në një prononcim të Fleckenstein për Top Channel ai thekson se “kjo nuk është hera e parë që ne përballemi me një situatë të tillë, me opozitën shqiptare që kërkon të heqë dorë nga detyra e saj në Kuvend”.
Për të vijuar më tej, Fleckenstein shkruan se asgjë nuk ka ndryshuar në këto 5 vite në lidhje me këtë taktikë.
Por, ai këmbëngul dhe thekson faktin që “është detyra e opozitës, brenda Parlamentit apo – nëse e sheh të arsyeshme – edhe jashtë Parlamentit, të ofrojë një alternativë politike për qeverisjen e vendit”.
Sa i përket dorëzimit të mandateve, politikani gjerman shprehet se “është në dorën e gjithsecilit prej deputetëve, për të vendosur nëse duan apo jo të heqin dorë nga mandati që u ka dhënë populli”.