Deputetët e Partisë Demokratike kanë votuar unanimisht për djegien e mandateve.
Tashmë pritet që kryetari i PD-së, Basha, të mbledhë Këshillin Kombëtar për vendimin përfundimtar.
Propozimi për djegien e mandateve u bë ditën e djeshme nga kryedemokrati, një ditë pas protestës së 16 shkurtit.
“Duke patur parasysh gjendjen e emergjencës kombëtare ku ndodhet vendi për shkak të kapjes së qeverisë duke vjedhur votat e shqiptarëve, siç dëshmojnë mediat ndërkombëtare dhe përgjimet e dosjeve.
Për shkak të kapjes së të gjitha pushteteve, të sistemit të drejtësisë, paralizës së shtetit, shtypjes sistematike të të drejtave të njeriut dhe lirive të shqiptarëve që ka shkaktuar një krizë të paprecedentë ekonomike dhe emigracion katastrofal.
Duke mbështetur zgjidhjen politike të opozitës së bashkuar, të një qeveria tranzitore që do marrë të gjitha hapat për garantimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme dhe zhbllokimit të procesit të integrimit në BE. Grupi i PD-së, vendosi djegien e mandateve të deputetëve të saj.” – deklaroi Basha.
Vendimet e marra në mbledhjen e sotme
1. Unanimisht votohet pro djegies së mandateve, pavarësisht diskutimeve në parim.
2. Të mandatohet kryetari Lulzim Basha të mbledh Këshillin Kombëtar për marrjen e vendimit përfundimtar.
3. Të ngrihet një grup pune për teknikalitetet. Propozim për KK: Gazmend Bardhi, Oerd Bylykbashi, Enkelejd Alibeaj, Çlirim Gjata, Ivi Kaso.
VIDEO
Ditën e sotme, Basha thirri grupin parlamentar ku u diskutua lidhur më propozimin për djegien e mandateve.
Gjatë takimit, të gjithë deputetët votuan për djegien e mandateve, si e vetmja mënyrë për të garantuar votë të lirë dhe zgjedhje të ndershme.
Në mbledhje u vendos gjithashtu ngritja e një grupi pune që do përcaktojë teknikalitetet e këtij vendimi.
Më herët gjatë mbledhjes, të gjithë deputetët e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, janë shprehur pro djegies së mandateve.
Ata kanë dhënë miratimin e tyre për atë që quajtën një akt sublim dhe një sakrificë për qytetarët dhe mbështetjen e tyre. “Nuk futemi në asnjë lloj zgjedhjeje. Jemi në mënyrë absolute për djegie mandatesh. Është një akt sublim. Të bashkohemi me qytetarët dhe të mos lëvizim nga ky qëndrim. Kjo është gjëja e duhur për t’u bërë dhe një sakrificë për qytetarët.” – thanë deputetët e lartpërmendur.
Më herët, kreu i PD-së, Basha, ka deklaruar se PD-ja është në borxh me qytetarët dhe se vendi është në emergjencë kombëtare dhe djegia e mandateve është hapi i duhur.
“Ne jemi në borxh me qytetarët. Ata na dhanë besimin dhe ne duhet të jemi me ta. Gjendja është emergjencë kombëtare. Na takon ne të udhëheqim shqiptarët.” – tha Basha. /Hashtag.al