“Kryeministri shqiptar: As dorëheqje, as zgjedhje të parakohshme! Kundërshtarët në krizë”, ky është titulli i artikullit të sotëm të gazetës italiane “Corriere Della Sera” lidhur me kryeministrin Edi Rama.
Në një intervistë për gazetën Rama i është përgjigjur opozitës lidhur me kërkesën për zgjedhje të parakohshme.
I pyetur nga gazetari italo-shqiptar, Leonard Berberi, se çfarë do të bëjë lidhur me kërkesën e opozitës për të dhënë dorëheqjen, Rama është përgjigjur se s’ka ndërmend të largohet dhe të çojë vendin në zgjedhje të parakoshme.
“As nuk e çoj ndërmend. Kam një mandat të qartë nga populli, kemi një mazhorancë në Parlament dhe në fund unë kam detyrimin përballë bashkëkombësve të mi. Nuk jam i detyruar të ndjek kërkesat e minorancës parlamentare. I vetmi detyrim është kontrata me popullin shqiptar, që na ka dhënë votën për të qeverisur”, tha Rama.
Kjo intervistë vjen pas protestës së të shtunës, ku opozita shprehu qartë kërkesat për qeveri tranzitore dhe zgjedhje të parakohshme.
Kryetari i Partisë Demokratike përmes një deklarate të posaçme për mediet këtë të dielë, lajmëroi djegien e mandateve parlamentare të opozitës, pasi siç tha, e ka lexuar mjaft qartë mesazhin e popullit në protestën e së shtunës.
“Ndaj unë jam sot këtu për t’ju thënë me përgjegjësi të plotë se e kam lexuar vullnetin tuaj. Ndaj kam vendosur t’i propozoj grupit parlamentar dhe forumeve më të larta vendimmarrëse të Partisë Demokratike të Shqipërisë djegien e mandatave parlamentare në mbështetje të qëllimit dhe aspiratës që ju dje dëshmuat se është mbarëkombëtare, europiane dhe e pandalshme, mbrojtjen e demokracisë dhe shtetit të së drejtës, Shqipërinë si gjithë Europa, qeverinë tranzitore dhe zgjedhje të lira dhe të ndershme, parlament të popullit dhe jo të krimit”, u shpreh Basha.
Përmes kësaj opozita synon të shkojë në qeveri tranzitore dhe zgjedhje të parakoshme parlamentare.