Vendosni fjalën kyçe....

Rama për gazetën italiane i pyetur për dorëheqjen: As që kam ndërmend (INTERVISTA)


Në një intervistë për gazetën “Corriere Della Sera” , kryeministri Edi Rama i është përgjigjur opozitës lidhur me kërkesën për zgjedhje të parakohshme.

I pyetur se çfarë do të bëjë lidhur me kërkesën e opozitës për të dhënë dorëheqjen, Rama është përgjigjur se s’ka ndërmend të largohet dhe të çojë vendin në zgjedhje të parakoshme.

“As nuk e çoj ndërmend. Kam një mandat të qartë nga populli, kemi një mazhorancë në Parlament dhe në fund unë kam detyrimin përballë bashkëkombësve të mi. Nuk jam i detyruar të ndjek kërkesat e minorancës parlamentare. I vetmi detyrim është kontrata me popullin shqiptar, që na ka dhënë votën për të qeverisur”, tha Rama.

Sipas tij, protesta e së shtunës vetëm sa dëmtoi imazhin e vendit. Kjo intervistë është publikuar mbrëmjen e 17 janarit, pak para mesnatës.

INTERVISTA E PLOTË:

Edi Rama, kryeministri i Shqipërisë dhe kreu i Partisë Socialiste, nuk i mohon problemet e vendit. Për shembull, korrupsioni ekziston. Ashtu sikurse ekzistojnë vendime gjyqësore të ndikuara nga ryshfetet. Pakënaqësia e të rinjve. Dhe trafikimi i drogës.

“Por qeveria ime po bën atë që askush tjetër nuk ka pasur guximin të bëjë për të eliminuar këto sëmundje nga shoqëria”, thotë ai në një intervistë me Corriere.

Zoti Kryeminister, organizatat ndërkombëtare theksojnë nivelin shqetësues të korrupsionit në Shqipëri.

Qe në Shqipëri ka korrupsion është jashtë diskutimit. Dhe është problem. Por mund të them gjithashtu se kjo qeveri po bën çmos për ta zhdukur atë.

Po, por ju jeni kreu i Qeverisë prej pesë vitesh.

Më lejo të them se jemi duke u impenjuar në maksimum për Reformën në Drejtësi. Tani si kurrë më parë po luftojmë korrupsionin dhe jemi duke punuar që administrata publike të jetë imune ndaj ryshfeteve.

Po ja dilni mbanë?

 Është e qartë që është një luftë e gjatë: rezultatet nuk mund të vijnë menjëherë.

Të dhënat makroekonomike tregojnë se papunësia po bie, edhe mes të rinjve. Por në mesin e të rinjve ka pakënaqësi…

Sot Shqipëria tregon të dhëna mjaft pozitive, mjafton të lexojmë shifrat e Bankës Botërore. Kjo nuk do të thotë se e kemi zeruar papunësinë apo se kemi zgjidhur problemin e të rinjve, por kjo do të thotë se jemi në rrugën e duhur.

Më pas është edhe plaga e gjyqtarëve të cilët i lëshojnë vendimet në këmbim të rryshfeteve. Çfarë po bëni për këtë?

Atë që askush nuk ka pasur kurajon ta bëjë në vend e në Ballkan, gjë që e ka nënvizuar edhe Bashkimi Europian.  Ne jemi duke çuar përpara një reformë që do të heqë nga gjykatat magjistratët e gjykatësit e korruptuar.

Një tjetër problem është trafiku i drogës që vazhdon të jetë i përhapur në pjesë të ndryshme të vendit…

Nuk mund ta mohoj. Por pikërisht disa ditë më parë Guardia di Finanza italiane prezantoi raportin e vitit 2018 për luftimin e kanabisit në Shqipëri dhe rezultatet ishin spektakolare për sa i përket fenomenit që është duke u luftuar nga qeveria ime.

Protesta e studentëve disa javë më parë ju bëri që të ndërronit disa ministra.
Kjo do të thotë se kjo ngjarje ishte e ndjeshme?

Ishte një diskutim i sinqertë ku ata denonconin probleme reale. Për këtë arsye i kemi dëgjuar dhe i kemi mirëpritur kritikat e tyre.

Protesta e ditës së shtunë dhe tentativa për të sulmuar godinën e  kryeministrisë kanë bërë xhiron e botës. Çfarë po ndodh tani në Shqipëri?

Nuk po ndodh asgjë. Nëse ka ndonjë gjë, është kriza e thellë e opozitës që nuk është në gjendje të sfidojë qeverinë politikisht. Kjo minorancë është më e dobët në krahasim me zgjedhjet e vitit 2017: nëse do të shkonim në votim nesër do të merrnin akoma më pak vota.

Por opozita, udhëhequr nga Lulzim Basha, lideri i Partisë Demokratike, ka hedhur drejt jush akuza shumë të rënda: mashtim në zgjedhje, korrupsion. Ai thotë se jeni të lidhur me krimin e organizuar.

Nuk do t’i përgjigjem as këtyre akuzave. Jam vetëm i shqetësuar sepse politika e hedhjes së baltës nuk do t’i ndihmojë as ata e as vendin. Shpresoj që sa më shpejt arsyeja t’i kthehet dhe të mbizotërojë mbi dëshpërimin.

Opozita ka kërkuar dorëheqjen tuaj. Ju çfarë keni ndërmend të bëni?

As nuk e çoj ndërmend. Kam një mandat të qartë nga populli, kemi një mazhorancë në Parlament dhe në fund unë kam detyrimin përballë bashkëkombësve të mi. Nuk jam i detyruar të ndjek kërkesat e minorancës parlamentare. I vetmi detyrim është kontrata me popullin shqiptar, që na ka dhënë votën për të qeverisur

Domethënë pas asaj që ndodhi të shtunën, sipërmarrësit italianë dhe ato të huaj nuk duhet të tremben aspak?

Jo. E vetmja gjë që bëri protesta e opozitës ishte një imazh negativ i Shqipërisë me një dhunë absurde, por me një rezultat zhgënjyes. E vetmja pasojë konkrete ishte shkatërrimi i një vepre arti, një kërpudhë që kisha vendosur në oborrin e Kryeministrisë.

VINI RE: Ky artikull është pronë intelektuale e Corriere Della Serra


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *