Nga Hysni Gurra
Propozimi i Bashës për “djegie mandatesh” nuk është votuar akoma në forumet e partisë, mbetet vetëm propozim derisa të votohet, por është propozim i drejtë!
Radikalizim nuk do të thotë të marrësh hunjt dhe t’i thyesh xhamat kryeministrisë, siç ka qef Edi, por mos ta njohësh më legjitimitetin e kësaj mazhorance. Protesta e 16 shkurtit ishte masive, ndoshta nga më masivet e viteve të fundit. Përpjekjet e Ramës dhe zëvendësit të tij Lleshaj për ta futur në kurth opozitën dështuan.
Lulzim Basha bëri diferencën sa i përket taktikës politike këtë herë. Unë kam shumë kritika për paqartësitë dhe shumë veprime të Bashës, të shumtat i kam përcjellë edhe nëpërmjet shkrimeve. Por sigurisht Basha me protestën e 16 shkurtit tregoi se ai nuk është si Rama. Nuk e nxori popullin në pritë për pushtet siç bëri Rama në 21 janar 2011. Protesta e 16 shkurtit kishte të gjitha shanset që të përfundonte si protesta e 21 janarit! Radikalizim i protestave në Shqipëri kuptohet si venia e flakës objekteve fizike si godina e kryeministrisë, apo institucioneve të tjera të shtetit, edhe pse kjo ndodh në Paris, Athinë, Londër etj. Shqipëria nuk ka takat për radikalizime të tilla! Por sa kohe vendi nuk ka institucioni kryesor të vendit “rojtarin e kushtetutës” Gjykatën Kushtetuese, është shtet jo funksional. Për sa kohë vendi nuk ka Prokuror të Përgjithshëm, vendi është jo funksional. Për sa kohë qeveria jep e jep konçensione pa asnjë plan e pa asnjë llogari, vendi dukshëm po shkon në drejtim të ditur, drejt falimentit. Këtë e pohojnë edhe të gjitha organizmat ndërkombëtare. Për sa kohë korrupsioni, varfëria, liria e medias dhe investimet e huaja janë në regres, ky vend nuk është normal.
Çfarë të bëjë opozita në këtë rast, t’i verë zjarrin fizikisht institucioneve?!
Jo!
Opozita është në kohën e duhur për të dalë nga institucioni më jo përfaqësues i vendit sot, i cili është Parlamenti i vendit.
Parlamenti i vendit sot është institucion i delegjitimuar. Faktet e shit-blerjes së votave janë të mjaftueshme për këtë. Parlamenti nuk është vullneti i popullit, kështu që opozita në pretendon të jetë akoma përfaqësuese e popullit nuk duhet ta njohë më atë institucion.
Vendimi është i vështirë, tejet i vështirë. Do të jetë i kritikueshëm nga ndërkombëtarët, por opozita do të ketë mbështetje të gjerë në popull. Parlamenti sot është institucioni me besueshmërinë më të ulët në popull. Madje edhe socialistët vetë nuk ndihen të përfaqësuar më në atë parlament. Nuk ndihen të përfaqësuar me ministra si Cakaj, Shahini, Lleshaj etj.
Paralajmërimi i Bashës për djegie mandatesh mund të jetë vendim i marrë, forumet thjesht procedurale mund të jenë, ose është presion ndaj qeverisë. Në të dyja rastet përfundimi duhet të jetë i njëjtë. Qeveri tranzitore, zgjedhje të parakohshme me reformë të re zgjedhore dhe me rregulla të reja loje politike. Nëse qëllimi është “ca bashki ti, ca bashki unë” mjerë për shqiptarët!