Një delegacion europian prej gjashtë anëtarësh që kërkonte të takohej me presidentin e përkohshëm të Venezuelës, Juan Guaido, po dëbohet nga Venezuela pasi u akuzua nga Karakasi zyrtar se kishte ardhur me “qëllime konspirative”.
Deputetët evropianë arritën të dielën në Venezuelë dhe duhej të qëndronin deri të martën për të kryer një sërë takimesh, duke përfshirë edhe një të tillë me Guaidon, udhëheqësin e opozitës, që është njohur nga një numër i qeverive evropiane si udhëheqësi legjitim i Venezuelës.
Megjithatë kjo gjë nuk ndodhi, pasi deputetët me të zbarkuar u pritën ftohtë nga autoritetet zyrtare dhe më pas do përzihen drejt Evropës, siç njoftoi anëtari i delegacionit, Esteban Gonzalez Pons.
Pons tha se pas mbërritjes pasaportat e tyre u konfiskuan dhe procedurat e dëbimit nisën menjëherë.
“Ne po largohemi sot, por nesër do të kthehemi në një Venezuelë të lirë.” – shkroi ai në “Twitter”, duke e quajtur dëbimin e tyre nga vendi “si provën përfundimtare që mundësitë për dialog kanë mbaruar dhe BE do të tërhiqet nga Grupi i Kontaktit”.