Pas protestës së 16 shkurtit, kryetari i PD-së, Basha, deklaroi se me vendim unanim, forca politike që drejton kishte vendosur të digjte mandatet në parlament. Vendimi zyrtar erdhi një ditë pasi kryedemokrati deklaroi se do u propozonte deputetëve të ndërmerrnin këtë akt.
Basha theksoi se vendi ishte në emergjencë civile për shkak të vjedhjes së faktuar të votave, kapjes të të gjitha pushteteve nga ana e kryeministrit Rama dhe për shkak të bashkëpunimit me krimin e organizuar të qeverisë dhe shumicës parlamentare.
Pak orë më vonë i njëjti vendim u mor edhe nga Lëvizja Socialiste për Integrim, që nëpërmjet kryetares së saj, Kryemadhi, renditi arsyet e këtij vendimi politik.
Protesta
Të shtunën e 16 shkurtit, në Tiranë u organizuar protesta e thirrur nga opozitë ku dhjetëra mijëra qytetarë nga kryeqyteti dhe rrethe të tjera të vendit u mblodhën para kryeministrisë. Protesta ishte e qetë me disa incidente kurse policia përdori gazin lotsjellës për të shpërndarë protestuesit dhe pas 5 orësh protestë, kreu i PD-së, Basha, lajmëroi mbylljen e saj.
Vendimi politik unanim i opozitës së bashkuar
Pas lajmërimit për djegien e mandateve nga ana e deputetëve të PD-së, e njëjta gjë ndodhi edhe me aletatët e tjerë të opozitës së bashkuar. Kryemadhi në një dalje për mediat tha se deputetët e LSI-së, kishin vendosur djegien e mandateve dhe tha se opozita kërkonte një qeveri tranzitore pa Ramën kryeministër, për të organizuar zgjedhje të lira të parakohshme.
Apatia në reagim e mazhorancës
Pas deklaratës së Bashës për djegien e mandateve, te vetme reagime zyrtare ishin nga zëvendëskryeministri Braçe, sipas të cilit opozita e kishte ndërmarrë këtë veprim pasi i frikësohej institucioneve të reformës në drejtësi reformë. Rama u përpoq ta parodizonte këtë gjë, nëpërmjet një statusi në “Twitter”, ku krahasonte qeverisjen e tij me Juventusin.
Zërat kundër
I vetmi deputet i opozitës që deri tani është shprehur zyrtarisht kundër djegies së mandatit është Lefter Koka i LSI-së, sipas gazetës “Bulevard”. Koka nuk ka qenë i pranishëm në mbledhjen e djeshme të kësaj force politike dhe ka deklaruar se nuk ka motiv për ta djegur mandatin e tij.
Ndërkombëtarët
Zëvendësambasadorja e SHBA-së në Tiranë, Leyla Moses-Ones dhe ai i BE-së, Luigi Soreca, i vajtën në zyrë kreut të PD-së, Basha, pas vendimit për djegien e mandateve. Një reagim pati edhe nga raportuesi për Shqipërinë në PE, Fleckenstein si dhe nga zëdhënësja e KE-së, Koçijançiç. Dy zyrtarët theksuan se qëndrimi i opozitës është kundërproduktiv dhe shkon kundër përpjekjeve të vendit për zbatimin e reformave të kërkuara nga BE. /Hashtag.al