Me një status të shkurtër, pas lajmit të djeshëm se nuk do ta dorëzonte mandatin, deputeti i LSI-së Lefter Koka ka shpërthyer sot gjithë revoltën e tij ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha.
Edhe pse prej kohësh Lëvizja Socialiste për Integrim ka qartësuar qënien në koalicion me Partinë Demokratike, madje ka bërë publik edhe vendimin e saj për të djeguar mandatet, për Kokën duhet bërë një tjetër lexim: “tërheqja zvarrë” që Berisha po i bën LSI-së.
Madje Koka e quan vendimin për të djegur mandatet as më e as më pak se sa një “aventurë të turpshme”.
Hakërrehet Koka:
“Ky nuk është një vendim thjeshte i Lëvizjes Socialiste për Integrim por i Saliut, i cili në shekullin e 21 bën thirrje për plumba ballit. Dhe nese erdhi dita që ai të tërheqë zvarrë LSI , a thua se LSI është Luli, nuk mund të më tërheqë zvarrë mua drejt aventurave qe une i gjykoj të turpshme për shoqërinë shqiptare dhe demokracinë.”
Vendimi i djegies së mandateve nga Partia Demokratike u mor një ditë pas protestës së opozitës së bashkuar, ndërsa Lulzim Basha, Monika Kryemadhi dhe Sali Berisha u panë teksa komunikonin me njëri-tjetrin gjatë protestës.
Shton më tej Koka:
“Mandati im nuk mund të përdoret asesi për t’i vënë flakën institucioneve shtetërore apo parlamentit shqiptar.”
Koka, edhe pse ka deklaruar se do të vazhdojë të jetë pjesë e Lëvizjes Socialiste për Integrim, nuk ka marrë pjesë në mbledhjen e kryesisë së saj, gjatë kohës që merrej vendimi për djegien e mandateve./Hashtag.al