Ministrja e Shtetit, Elisa Spiropali, përfshihet zyrtarisht në hetimin për pasurinë dhe konfliktin e interesave nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit e Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave (ILDKPKI).
Një ditë pas publikimit në “Boldnews.al” të disa dokumentave, në bazë të të cilëve dyshohet se familjarë të Spiropalit dhe bashkëshortit të saj, Salarjon Totaj, kanë fituar tendera në kushtet e konfliktit të interesave, vjen edhe reagimi i parë institucional.
Në përgjigje të një kërkese zyrtare të “Boldnews.al”, Inspektorati i Deklarimit të Pasurive konfirmon se ka nisur hetim administrativ, pasi u njoh me dokumentat e publikuar.
“Bazuar në të dhënat dhe njoftimet në media, duke përfshirë këtu edhe publikimin e kryer nga “Boldnews.al” për rastin e përmendur në e-mailin tuaj, Inspektori i Përgjithshëm, bazuar në ligjin nr. 9049, datë 10.4.2003 “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë”, i ndryshuar dhe ligjin nr. 9367, datë 7.4.2005, “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”, i ndryshuar, ka urdhëruar menjëherë fillimin e procedurave të kontrollit të plotë dhe hetimit administrativ për të gjitha deklaratat e interesave private të subjektit Elisa Spiropali”, deklaron Inspektorati.
Duke vijuar më tej, ILDKPKI informon se “Objekt i këtij kontrolli nuk do të jenë vetëm pasuritë e subjektit në fjalë, burimet e krijimit dhe ligjshmëria e tyre, por gjithashtu edhe gjendja e dyshuar e konfliktit të interesit.
Mbledhja e të dhënave dhe informacioneve, kryerja e veprimeve verifikuese dhe hetimit administrativ do të shtrihet edhe për familjarët, bashkëshortin e saj, fëmijën, si dhe personat e lidhur”.
Inspektori i Përgjithshëm-thuhet në përgjigjen institucionale- ka kërkuar kryerjen e një hetimi tërësor brenda një kohe sa më të shpejtë të mundshme. Në përfundim të këtij hetimi, Inspektorati i Lartë do t’ju njoftojë përkatësisht mbi rezultatet e tij.
“Boldnews.al” publikoi të Hënën disa dokumenta zyrtarë, në bazë të të cilave krijohen dyshimet e forta se kompania ‘Solomon Construction” e krijuar nga Enkli Spiropali, vëllai i ministres së Shtetit ka fituar në vitin 2014 një tender me vlerë 6.6 milionë lekë në Ujësjellës-Kanalizime Fier, i drejtuar nga Salarjon Totaj, partneri i Elisa Spiropalit.
Kjo kompani iu shit më pas shtetasit Marjus Memushaj, kushëri i dytë i Salarjon Totaj. Pas ndryshimit të pronësisë, Solomon Construction” fitoi edhe disa tendera të tjerë tek Ujësjellësi i Fierit, i drejtuar nga bashkëshorti i Elisa Spiropalit.
Pas publikimit të investigimit nga “Boldnews.al” reagoi Elisa Spiropali, e cila deklaroi se “vëllai i saj nuk ka marrë asnjë tender apo fond publik”.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Boldnews