Vendosni fjalën kyçe....

Termocentralet me qymyr të Ballkanit që ndotin gjithë Evropën


“Puna e 16 termocentraleve me qymyr në vendet e Ballkanit Perëndimor ka pasoja ekonomike dhe shëndetësore për të gjithë Evropën dhe qytetarët e saj”, thuhet në një raport të paraqitur të martën nga koalicioni i organizatave joqeveritare evropiane që merren me luftën kundër ndotjes.

Rezultatet e raportit treguan se, çdo vit nga ndotja e ajrit të shkaktuar nga operimi i këtyre termocentraleve në Ballkan, shkaktohen deri në 3.000 vdekje të parakohshme, rreth 8.000 raste të bronkitit te fëmijët, si dhe sëmundje të tjera kronike.

Studimi vlerësoi se shpenzimet vjetore shëndetësore që mund të shoqërohen me këtë ndotje arrijnë vlerën nga 6.1 në 11.5 miliardë euro. Koston më të lartë të kësaj shume e mban BE-ja, me 3.1 deri në 5.1 miliardë euro, ndërsa ekonomitë e brishta të Ballkanit paguajnë rreth 1.9 deri 3.6 miliardë euro.

Analiza është bërë në bazë të metodologjisë së Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe Komisionit Europian.

“Ajri i ndotur nga Ballkani Perëndimor po transferohet në vendet e Bashkimit Evropian, gjë që ndikon edhe më shumë në cilësinë e dobët të ajrit”, theksoi autorja kryesore e kësaj analize, Vlatka Matkoviç-Puljiç. Ajo shtoi se është koha që vendimmarrësit në Bashkimin Evropian të mbështesin përpjekjet për të mbrojtur ajrin e pastër dhe dekarbonizimin e sektorit të energjisë në vendet e Ballkanit Perëndimor.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *