Templates by BIGtheme NET

Basha: Çdo ditë për ne është 20 shkurt derisa të rrëzojmë Ramën

Një ditë përpara protestës që pritet të bëhet përpara Parlamentit dhe në 28-vite pas shembjes së diktaturës, kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, , ka deklaruar se për shqiptarët çdo ditë është 20 shkurt, edhe pse sot nuk ka shtatore për të rrëzuar.

Sipas kreut të opozitës, vendi po përballet me një regjim antidemokratik, oligarkik dhe i ardhur në pushtet nga blerja e votave përmes krimit të organizuar.

“Sot përkujtojmë 20 shkurtin 1991, ditën kur shqiptarët u bashkuan dhe shembën jo thjesht një statujë, por simbolin e diktaturës më të egër të Europës, të etur për Liri dhe Demokraci, me ëndrrën më të madhe “Shqipëria si gjithë Europa”!

28 vite më pas, jemi përballë një sfide të ngjashme. Një regjim antidemokratik, oligarkik, i ardhur në pushtet nga blerja e votave përmes krimit të organizuar, po zhbën ëndrrën e shqiptarëve për Shqipërinë si gjithë Europa.

Ndonëse nuk kemi shtatore për të rrëzuar, çdo ditë për ne është 20 shkurt, derisa të shembim sistemin që e mban Shqipërinë peng të krimit dhe korrupsionit duke varfëruar dhe shtypur përditë shqiptarët. Qëllimi ynë është t’i japim atyre një qeveri të njerëzve, për njerëzit dhe nga njerëzit. Vetëm kështu do ecim të sigurt drejt Europës.”, shkruan Basha.

Pas protestës së 16 shkurtit, nesër pritet që opozita të zhvillojë një tjetër protestë, këtë radhë përpara Parlamentit. Protesta pritet të nisë rreth orës 10:00.

19 të lënduar u raportuan nga protesta e së shtunës para Kryeministrisë, nga këta 9 punonjës të forcave të rendit, 2 gazetarë si edhe 8 protestues. Po ashtu dhjetëra protestues janë arrestuar nga policia.

Gjykata vendosi që 14 prej tyre të mbeten në burg, ndërkohë që vetëm njëri prej tyre ka marrë masën e sigurisë “Detyrim Paraqitje”. Katër të tjerë janë lënë në arrest shtëpie.

MUND TË KOMENTOSH

avatar
  Subscribe  
Më njofto