Pas takimit në selinë blu me kreun e Partisë Demokratike, ambasadori i BE-së në Tiranë Luigi Soreca tha në një deklaratë për mediat se nesër është një ditë e rëndësishme dhe pret një proces demokratik.
“Kam qenë shumë i qartë… është e nevojshme që të diskutohet. Nesër është një ditë e rëndësishme. Presim të mos ketë akte të dhunshme dhe të ndiqen proceset demokratike”, tha Soreca.
Pak më herët, Luigi Soreca shkoi në zyrën e Bashës, me të cilin ka diskutuar për vendimin e opozitës për të djegur mandatet e deputetëve dhe për protestën e së enjtes.
Më herët në zyrën e Bashës ishte edhe ambasadorja gjermane Susanne Schütz, me të cilën kreu i opozitës gjithashtu ka biseduar për djegien e mandateve.
Vendimi për djegien e mandateve u mor zyrtarisht ditën e hënë, pas paralajmërimit të Bashës një ditë më herët.
Partia Demokratike e votoi unanimisht këtë vendim, që u pasua më pas edhe nga aleatët e tjerë të opozitës, LSI dhe partitë e tjera opozitare.
Deputeti i vetëm i opozitës deri tani që është shprehur kundër djegies së mandatit është Lefter Koka i LSI-së.
Ditën e sotme, në orën 17:00, PD ka thirrur Këshillin Kombëtar, i cili do të jetë organi përfundimtar që do të vendosë për lënien ose jo të mandateve.