Mosmiratimi i buxhetit të bashkisë Prrenjas për vitin 2019, ka çuar në mbylljen e kopshteve dhe çerdheve të këtij qyteti, duke qenë se nuk garantohet ushqimi për fëmijëet e mitur.
Dhjetëra banorë të këtij qyteti kanë protestuar kurse kryebashkiakja Miranda Rira e ka cilësuar bllokimin si politik.
Ajo ka thënë për “Ora News” se buxheti është bllokuar nga socialistët në mënyrë të përsëritur ndërsa pas këtij vendimi qëndrojnë deputetët Taulant Balla dhe Nuri Belba.
“Problemi i vetëm dhe i madh i këtij miratimi ka qenë grupi socialist, që ka bllokuar buxhetin në mënyrë të njëpasnjëshme. Sot ka pasur një mbledhje tjetër, një kërkesë nga pjesa tjetër e këshillit. Kjo gjë nuk ka ndodhur.
Vetë Komisioni i Ekonomisë që duhet të mblidhet para këshillit nuk është mbledhur qëllimisht dhe pse është thirrur tre herë. Është bllokuar nga kryetari i komisionit që është njëkohësisht kryetari i PS-së Prrenjas. I dirigjuar nga deputetët e PS-së Belba dhe Balla. Gjendja është kaotike, admninistrata e paralizuar, kopshtet dhe çerdhet nuk kanë ushqim.” – ka thënë Rira.
Ajo ka shtuar se ky kaos është i qëllimshëm dhe vjen disa muaj p0ara zgjedhjeve lokale, ndërsa ka bërë apel për zgjidhjen e ngërçit.
”Gjithçka ka dështuar. Gjithça është bllokuar vetëm për të krijuar këtë situatë kaotike tani disa muaj para zgjedhjeve lokale. Gjithçka është politike, nuk kemi zgjidhje tjetër veçse të kërkojmë mbylljen e kopshteve dhe çerdheve. Është turp dhe fatkeqësi që sot në Shqipëri bëhet politike me fëmijët e vegjël. Janë rreth 500 fëmijë.” – ka shtuar Rira.