Vendosni fjalën kyçe....

“Soros fshihet pas planit pro-emigracion” – Brukseli sulmon qeverinë hungareze


Një fushatë e re mediatike e qeverisë hungareze, akuzon miliarderin globalist, George Soros dhe BE-në për rritjen e presionit të politikave të kufijve të hapur.

Brukseli reagoi me zemërim dhe e hodhi poshtë fushatën, duke e emërtuar si një teori komploti e lajmesh të rreme.

Tabelat me imazhet e Sorosit dhe Presidentit të Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker po u shfaqin hungarezëve se zyrtarët e Brukselit “po fillojnë projekte eksperimentale të emigracionit me vendet afrikane; duan të futin kuota të detyrueshme të pranimit; duan të zvogëlojnë ndihmën financiare për vendet që janë kundër migracionit”, dhe pjesa e fundit i referohet veçanërisht Hungarisë.

Akuza të mëtejshme u shfaqën në faqen zyrtare në Facebook të qeverisë hungareze, ku thuhet se BE-ja dëshiron të imponojë kuota të pranimit për emigrantët, të dobësojë mbrojtjen e kufijve të anëtarëve të BE-së dhe të bëjë më të lehtë emigracionin.

Komisioni i BE-së nxitoi të sulmonte fushatën e reklamave, duke e quajtur atë një konspiracion dhe “lajme të rreme”, pa hyrë në detaje në adresimin e shqetësimeve të Budapestit.

“Është tronditëse që një teori kaq e komplikuar komploti ka mbërritur të bëhet kaq e rëndësishme deri në masën që ka. Nuk ka komplot, hungarezët meritojnë fakte, jo fantashkencë.” – u tha gazetarëve të martën në Bruksel, shefi i zyrës së shtypit të Komisionit Evropian, Margaritis Schinas.

Faktet, sipas Schinas, janë se BE ka “plane zero” për viza humanitare, ndërsa shtetet anëtare e marrin vetë vendimin për të vendosur mbi nivelin e emigrimit të ligjshëm.

Nga ana tjetër, Brukseli është përplasur në mënyrë të përsëritur me Budapestin lidhur me politikën e emigracionit të Hungarisë – ose më mirë, refuzimin e saj për të mbështetur qasjen e kufijve të hapur, të drejtuar nga kancelarja gjermane Angela Merkel në vitin 2015.

Herë pas here kryeministri hungarez, Viktor Orban, ka hedhur poshtë kërkesat e BE-së për të pranuar emigrantët, duke ndërtuar një gardh me Serbinë dhe madje me anëtaren e BE-së, Kroacinë, për të siguruar kufirin e vendit të tij.

Javën e kaluar, Orban propozoi një program të subvencionimit të lindjeve në Hungari, duke argumentuar se “ne kemi nevojë për fëmijë hungarezë”  dhe jo emigrantë.

Ndërkohë, Soros ka mbrojtur hapur emigracionin si zgjidhje për rënien e numrit të lindjeve në Evropë dhe ka goditur Hungarinë dhe anëtarët e tjerë “populistë”, të cilët sipas tij rrezikojnë mbijetesën e BE-së, duke e krahasuar atë me Bashkimin Sovjetik të vitit 1991.

Me zgjedhjet për Parlamentin Europian të planifikuara për në maj, partia e Orbanit, “Fidesz”, nuk fsheh dëshirën që blloku anti-emigracion të bëhet shumicë.

Megjithatë, zëdhënësi i qeverisë, Zoltan Kovacs, mohoi se fushata e fundit lidhet me zgjedhjet e ardhshme, duke thënë se ajo kishte për qëllim vetëm informimin e hungarezëve.

Juncker, nënkryetari i tij, Frans Timmermans dhe komisioneri i BE-së që drejton bisedimet e Brexit, Guy Verhofstadt, vunë në dukje fushatën, si një arsye tjetër për të përjashtuar “Fidesz” nga blloku i Partisë Popullore Evropiane (EPP).

“Unë nuk mendoj se konservatorët në Hungari përfaqësojnë vlerat kristian demokratike në asnjë mënyrë,” tha Juncker të martën. “Nuk ka asnjë bllokim mes zotit Orban dhe meje…kështu që unë jam i mendimit se vendi i tij nuk është në Partinë Popullore Evropiane”.

Kjo nuk është hera e parë që Orban ka akuzuar Sorosin e lindur në Hungari, se ka kërkuar të minojë politikat e Budapestit.

Një fushatë e tillë në korrik 2017, u akuzua si anti-semitizëm. Kjo bëri që kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu, të ndërhynte në debat, me një deklaratë duke thënë se kritikat ndaj Sorosit ishin të ligjshme dhe jo anti-semite.

Vera e kaluar, Hungaria miratoi ligjin “Stop Soros”, duke ndaluar ndihmën ndaj emigrantëve të paligjshëm dhe duke goditur OJQ-të pro-emigracionit, të cilat ishin në përgjithësi të financuara nga miliarderi.

Si rezultat i ligjit, Fondacioni i Shoqërisë së Hapur Soros bëri gati plaçkat dhe e ndërpreu veprimtarinë e tij në Hungari duke e zhvendosur Universitetin e Evropës Qendrore, të financuar prej, në Austri.

/Hashtag.al

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e RT


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *