Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim Monika Kryemadhi, që në orën 08:30 është paraqitur në selinë e kësaj force politike. Së shpejti pritet të nisë dhe protesta e thirrur nga opozita që prej të shtunës së 16 shkurtit kur u zhvillua protesta e kaluar.
Kryemadhi një ditë më parë firmosi dokumentin ku pranon vullnetarisht të heqë dorë nga mandati i saj si deputete.
Deputetët e opozitës mbrëmjen e kaluar, njëri pas tjetrit kanë firmosur deklaratat me anë të cilave heqin dorë vullnetarisht nga funksioni në Parlament dhe kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim Monika Kryemadhi ka firmosur e para.
Opozita vendosi për djegien e mandateve si e vetmja dhe e fundit lëvizje që mbeti për largimin e Ramës nga qeveria.
Në dokumentin që deputetët e opozitës po firmosin shkruhet qartësisht se kërkohet një qeveri tranzitore dhe zgjedhje të parakohshme parlamentare. 4 kërkesat e opozitës janë: Zgjedhje të parakohshme të përgjithshme, zgjedhje të lira dhe të ndershme, krijimi i klimës së besimit për Reformën në Drejtësi dhe përshpejtimi i negociatave për anëtarësimin në BE.