Me mijëra qytetarë janë nisur që prej orëve të para të mëngjesit nga rrethet drejt Tiranës me autobusë apo me mjete private. Numri i protestuesve në shumë prej qarqeve pritet të jetë pak a shumë i njëjtë me protestën e 16 shkurtit, edhe pse sipas kreut të PD-së në Shkodër, po u bëhet presion shoferëve që transportojnë qytetarët.
“Ka ardhur në pushtet me votat e vjedhura, po vjeç çdo ditë çdo gjë të këtij vendi. Protestat nuk do të ndalen deri në rrëzimin e kësaj qeveri. Edhe sot do të marrin pjesë protestues nga e gjithë Shqipëria nga jugu në veri.Sot do të vërshojnë nga Shkodra mbi 5 persona me autobusa dhe mjete megjithëse autobusëve u është bërë presion duke u marrë patentat shoferëve, duke u bllokuar letrat dhe duke i gjobitur. Protestën popullore nuk mund ta ndalojnë me presione sepse kjo qeveri është në grahmat e fundit.”, tha Xhevdet Amulli.
Një postobllok policie është vendosur në kufirin mes Shkodrës dhe Lezhës.
Sikurse nga Shkodra, edhe nga Lezha me dhjetëra qytetarë janë nisur me autobusë dhe mjete. Po ashtu edhe nga Berati, Fieri, Gjirokastra, Korça, Vlora dhe Elbasani.
Kreu i PD-së në Fier, Luan Baçi ,deklaroi se sot është një tjetër protestë e fuqishme: “Protesta më masive se ajo e 16 shkurtit. Protesta e mëparshme nuk ka pasur dhunë por ka qenë një revoltë e brendshme e qytetare. PD nuk ka dhunë, protesta do të jetë masive dhe shumë e fuqishme.”
Ndërkohë që para Kuvendit do të zhvillohet protesta e thirrur nga opozita, kryeministri Rama pritet të ikë prapë në Jug të vendit, këtë radhë në Gjirokastër.