Vendosni fjalën kyçe....

Kryemadhi: S’ka kthim pas! Mandatet tona shkojnë për policët, Unazën e studentët


 

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim Monika Kryemadhi, tha se mandatet e deputetëve të opozitës i dedikohen më shumë se të gjithëve policëve, por gjithashtu edhe banorëve të Unazës së Re, minatorëve, naftëtarëve e studentëve.

Në një fjalim mes protestuesve para Kuvendit, Kryemadhi tha se mandatet e opozitës nuk po digjen thjesht për bindje politike, por për të ndërtuar një shtet me instituvione ku nuk vjen njeri në pushtet me paratë e krimit. Sipas saj, djegia e mandateve ka të bëjë me fundin e tranzicionit që po kalon Shqipëria.

“Të dashur motra dhe vëllezër. Zoti ju ruajt ju, Zoti shpëtoftë Shqipërinë. Zoti i ruajt shqiptarët kudo që janë. Rama Ik! Të dashur motra dhe vëllezër. Të dashur vëllezërit tanë policë. I kanë vendosur përballë motrave të tyre, prindërve të tyre, vëllezërve të tyre. Ata policë, rrogat e të cilëve janë 300 mijë lekë, aq të vjetra sa kushton një kollare e Edi Ramës. Nuk mund të jenë ata përballuesit e dhunës. Ata policë të cilët janë njëlloj si të gjithë shqiptarë, që vuajnë, që paguajnë faturën e energjisë elektrike njëlloj si të gjithë ju, më shtrenjtë se asnjëherë tjetër. Ata policë paguajnë njësoj  faturën e ujit, paguajnë njësoj si ju libra për fëmijët e tyre. Ata policë njëlloj si ju kanë hedhur letra dhe kanë paguar për legalizimet e shtëpisë së tyre, sepse Edi Rama përdor uniformën, për ti shtypur, për ti përdorur dhe për ti shfrytëzuar. Prandaj mandatet tona më shumë se kurrë janë për të gjithë arta djem dhe vajza policë të cilët e duan vendin e tyre, e duan popullin e tyre.

Motra dhe vëllezër, sot mandatet tona, nuk janë më mandate të narko shtetit, nuk janë më fasadë e narko shtetit. Sot mandatet tona janë mandatet e shqiptarëve, pavarësisht bindjeve që kemi. Sot mandatet tona janë mandate për tu rikthyer dhe njëherë në 1990 për të thirrur të gjithë së bashku LIRI DEMOKRACI. Sot mandatet tona nuk janë më fasadë e një Parlamenti i cili rrethohet me tela me gjemba. Sot mandate tona janë mandatet e banorëve të Unazës së re, janë mandatet e minatorëve, janë mandatet  e naftëtarëve, janë mandatet e atyre studentëve që në mënyrën më të bukur i nxorën bojën shtetit të kalbur të Edi Ramës. Dua tu them dhe diçka. Nëse në çdo vend të botës, në Amerikë apo në çdo vend demokratik. Në qoftë se një kryeministër, deputete apo kongresmen, do të faktohej nga Prokuroria me fakte që votat e tyre janë blerë me paratë e kartelit të drogës, të jeni të bindur që jo vetëm do ishin në burg, por do i kishin djegur çdo cep të institucioneve të narko shtetit.

Prandaj djegia e mandateve tona nuk ka të bëjë me pozicionet politike. Djegia e mandateve tona ka të bëjë me fundin e tranzicionit që po kalon Shqipëria. Mandatet tona do të digjen për të bërë paktin për shtetin, për të ndërtuar shtetin. Për të ndërtuar institucionet, që të mos guxojë më njeri që të vijë në pushtet me paratë e krimit, me paratë e drogës, me gjakun e shqiptarëve. Ne ju japim fjalën sot që nuk ka më kthim pas. Nuk ka më kthim pas sepse do të na mallkojnë brezat e tjerë që do të vijnë. Do ta na mallkojnë fëmijët tanë. Do të na mallkojë shpirti i qindra dhe mijërave shqiptarëve.

Motra dhe vëllezër, Rama ka ikur. Sepse po të ishte i fortë sot ai do të ishte në atë sallë. Sepse po të ishte i fortë nuk do të ikte si Arafati, që çdo ditë nuk rri asnjëherë në një vend. Nuk do të përfundonte si një frikacak i cili fshihet si miu mes vrimave të krimit dhe të drogës. Prandaj ju bëj thirrje, ju bëj thirrje që ky kryeministër nuk mund të mbajë në dorë të ardhmen e shqiptarëve. Secili nga ne ka një mision dhe misioni është shumë i qartë. Të largojmë krimin. Të ndajmë politikën nga krimi dhe nga droga dhe t’i kthejmë Shqipërinë shqiptarëve. Të kthejmë ata 400 mijë shqiptarë që Edi Rama i largoi. T’i kthejmë identitetin vendit tonë që flamuri ynë kombëtar të valëvitet ashtu siç  i takon. Zoti ju ruajtë ju, Zoti i ruajtë shqiptarët, Zoti e bekoftë Shqipërinë! Faleminderit.”, tha Kryemadhi. / Hashtag.al

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *