Mijëra qytetarë u mblodhën mëngjesin e sotëm në rrugën dhe sheshin para Parlamentit, që ishte rrethuar me tela me gjemba dhe nga disa kordonë me policë.
Ata iu përgjigjën thirrjes së opozitës për të marrë pjesë në protestën e sotme kundër kryeministrit Rama dhe protestuan paqësisht.
Ndryshe nga protesta e së shtunës para kryeministrisë, në protestën e sotme nuk pati asnjë incident nga ana e protestuesve dhe nuk pati hedhje gazi nga ana e policisë.
Fillimisht para Parlamentit dhe më pas para kryesisë së Kuvendit, ku deputetët e opozitës po dorëzojnë zyrtarisht mandatin e deputetëve.
Me thirrjet “Rama ik”, “Sot është fundi i hajdutëve”, “Hajdutët në burg”, mijëra qytetarë u mblodhën para parlamentit dhe kërkuan dorëheqjen e kryeministrit Rama, largimin e qeverisjes dhe zgjedhje të parakohshme, lira e të ndershme.
Protesta e sotme vjen pas vendimit unanim të deputetëve të opozitës për djegien e mandateve. Deputetët e saj i firmosën dje dorëheqjet nga mandati ndërsa sot po bëjnë dorëheqjen zyrtare nga mandati.
Në fjalën e tyre, krerët e opozitës, Basha e Kryemadhi, thanë se sot mandati është i popullit dhe se nuk mund të ketë më parlament fasadë të kapur nga krimi i organizuar dhe mafia.
Ata deklaruan se vetëm zgjedhjet e parakohshme, të lira dhe të ndershme do kthenin normalitetin në vend, ndërsa patën edhe një mesazh për ndërkombëtarët, teksa deklaruan se nuk mund të pranojnë për popullin shqiptar, atë që diplomatët e huaj nuk do pran
onin për popujt e tyre. /Hashtag.al