Po zhvillohet mbledhja e Këshillit të Lartë të Prokurorisë.
Në seancën e sotme pritet të diskutohet kërkesat e opozitës së bashkuar për shkarkimin e Kryeprokurores së përkohshme, Arta Marku, që u zgjodh më 18 dhjetor 2017 me 69 votat e shumicës.
Në rendin e ditës është edhe komandimi i 6 prokurorëve pranë KLP-së ndërsa është vendosur që mbledhja e sotme të zhvillohet me dyer të mbyllura.
Shkarkimin e Arta Markut e ka kërkuar kreu i grupit parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili.
Shkak për këtë është bërë përcjellja e kandidaturës së anëtarit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Bujar Sheshi, si kandidat që plotësonte kriteret për të qenë pjesë e KLP-së, pa pritur më parë verifikimin e pastërtisë së figurës së tij.
Aktualisht Sheshi është anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, ndërsa akuzohet nga opozita se ka qenë bashkëpunëtor i ish-Sigurimit të Shtetit, çështje për të cilën nuk ka ende ndonjë deklaratë zyrtare nga ana e KLP-së.