Partnerja e kryeministres serbe Ana Brnabiç, ka sjellë në jetë fëmijën e tyre të parë. Dhe kjo është konsideruar si e para herë që një lider botëtor gay bëhet prind.
Sipas deklaratës së zyrës së kryeministres, cituar nga “BBC”, nëna Milica Djurdjiç dhe foshnja, një djalë i quajtur Igor, ishin mirë.
“Ana Brnabic është një nga kryeministret e para, partnerja e së cilës ka lindur gjatë kohës që është në detyrë … dhe e para në botë në një çift të të njëjtit seks”, citohet zyra e saj.
Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç e ka uruar kryeministren Brnabiç, dhe partneren e saj për lindjen e djalit ndërsa ka kritikuar një pjesë të opinionit që në rrjete sociale është tallur me këtë ngjarje.
“Përgëzoj Anën e Milicën që Igori është gjallë, i shëndoshë dhe dëshiroj që të jetë me shëndet, i mençur dhe i suksesshëm. Fakti se ata i pengojnë edhe fëmijët, flet vetiu”, është shprehur Vuçiç.
43-vjeçarja Ana Brnabic, u bë kryeministrja e parë grua e Serbisë dhe njëkohësisht e para kryeministre gay, në qershor të vitit 2017.
Emërimi i saj erdhi si surprizë për vendin ballkanik, ku nuk njihen martesat e të njëjtit seks.