Vajza e artë e Kosovës, vishet sërish me ngjyrën e saj të preferuar. Majlinda Kelmendi nuk zhgënjen pritshmëritë. Izrael apo Gjermani për xhudisten kosovare nuk bën diferencë dhe kampionia rrëmben përsëri medaljen e artë në Grand Slamin e Dusseldorfit. Një perfomancë spektakolare, dominuese e vërtetë e turneut: në finale shpartallohet totalisht xhudistja nga Mongolia, Sosorbaram Lkhagvasuren.
Në Grand Slamin e Gjermanisë marrin pjesë 683 garues nga 97 shtete dhe nuk duhet harruar se ky triumf i pejanes përkthehet në pikë
Olimpike drejt Tokio 2020. Kelmendi fiton kështu medaljen e dytë të artë në 2019, pas asaj të fituar në Grand Prix të Tel Avivit.
Majlinda u fut në kompeticion në raundin e dytë, ku nuk e patiu aspak të vështirë të mundte vendasen Verna Thumm. Edhe braziliania, Eleudis Valentim, nuk e impenjoi sa duhet kampionen nga Kosova, që testin më delikat e përjetoi në çerekfinale, ku koreania Bokyeong Jeong, e vuri në provë të vështirë. Kelmendi madje rrezikoi edhe të humbiste duelin me rezultat teknik, por rikuperoi duke marrë një vend në gjysëmfinale, ku gjeti përballë ish-rivalen olimpike të Rio 2016. Italiania Odette Giuffrida, me gjithë dëshirën për hakmarrje, nuk mundi dot të pengojë Majlindën drejt finales dhe më pas medaljes së artë me në kategorinë deri në 52 kilogramë.