Policia greke ka bllokuar një numër të madh pasaportash të reja, që duhet t’u shpërndaheshin emigrabtëve shqiptarë që punojnë e jetojnë në vendin fqinj.
Bllokimi i tyre është bërë në pikën kufitare të Kakavijës dhe shkak për këtë është bërë mënyra e dërgimit të tyre, nëpërmjet autobusit të linjës Tiranë-Athinë, të futura në çanta dore dhe pa asnjë shoqërues nga ana e Ministrisë së Jashtme.
Gjatë kontrollit të policisë greke në pikën kufitare të Kakavijës, kjo dërgesë ka krijuar dyshime dhe çantat janë bllokuar, raporton “Panorama”.
Policia greke ka ndaluar shoferin e autobusit si të dyshuar në një trafik me pasaporta shqiptare ndërkombëtare.
Shoferi ka sqaruar autoritetet greke se bëhej fjalë për një dërgesë të Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë, dërguar ambasadës sonë në Athinë me pasaportat e reja të bashkëkombësve tanë.
Pas kontakteve të ministrive respektive, situata është sqaruar ndhe shoferi është lënë i lirë ndërsa pasaportat janë bllokuar, deri në mbërritjen e punonjësve diplomatikë që kanë bërë tërheqjen e tyre.
Gazeta “Panorama” ka kontaktuar konsullin e Shqipërisë në Janinë, Pervin Gjikuria, i cili nuk e mohoi bllokimin e pasaportave nga policia greke, por e cilësoi si një procedurë në vijim që po ndiqet.
Pas tërheqjes së pasaportave, një pjesë e tyre u vodhën në një parkim në Athinë, ndërsa policia greke po heton për zbardhje e ngjarjes.