Të paktën dy persona kanë mbetur të vdekur dhe disa të tjerë janë plagosur pas një përleshje në kufirin mes Venezuelës dhe Brazilit. Forcat e sigurisë së Venezuelës hapën zjarr ndaj një grupi civilësh që u përpoqën t’i pengonin ata të bllokonin kufirin. Presidenti i kontestuar i Venezuelës, Nicolas Maduro, njoftoi për mbylljen e kufirit me Brazilin, për të bllokuar ndihmat humanitare.
“Kufiri me Brazilin do të mbyllet plotësisht dhe absolutisht deri në njoftimin e radhës”, tha Maduro. Udhëheqësi i majtë tha në një fjalim televiziv se po shqyrton mbylljen e kufirit edhe me Kolumbinë për të ndaluar opozitën që të fusë ndihma. Dhjetëra vende, në mesin e tyre edhe SHBA-ja, e kanë njohur udhëheqësin e opozitës, Juan Guaido, si president të përkohshëm të Venezuelës. Guaido e ka shpallur veten lider të përkohshëm gjatë protestave antiqeveritare në Venezuelë, muajin e kaluar.