Tre persona kanë humbur jetën në një aksident në rrugën Prizren – Zhur.
Zëdhënësi i Policisë Rajonale të Prizrenit, Vesel Gashi, ka deklaruar se një kamioni që po pastronte rrugën është përplasur me një veture.
“Po e konfirmoj se gjatë një aksidenti mes një kamioni dhe një automjeti kanë humbur jetën tre persona. Hetuesit po kryejnë hetime.”, ka thënë Gashi për Gazetën Express.
Sipas Gashit, ekipi mjekësor ka konstatuar se tre personat kanë vdekur në vendin e ngjarjes.
Tre viktimat janë banorë të fshatit Zhur, aty ku edhe ka ndodhur aksidenti. Mësohet se tre personat kishin lidhje familjare, konkretisht babai dhe djemtë të moshës 22 dhe 24 vjeçare.
Për shkak të kushteve të motit, është vështirësuar qarkullimi në rrugë dhe Policia e Kosovës kërkon nga të gjithë drejtuesit e automjeteve, që të respektojnë shenjat e trafikut rrugor si dhe të jenë shumë vigjilent.
“Kujdesi maksimal i pjesëmarrësve në trafik është i domosdoshëm për të shmangur aksidentet dhe në këtë mënyrë të krijohet një siguri më e madhe në trafikun rrugor”, thuhet në apelin e policisë.