Vendosni fjalën kyçe....

Manastirliu firmos urdhrin e ri, Shehu: Spitalet si repart ushtarak, mentalitet i rrezikshëm!


Pas vendimit të Ministres së Shëndetësisë Ogerta Manastirliu për regjimin e ri të disiplinës dhe rregullave për vizitorët në çdo spital universitar, rajonal dhe bashkiak në vend, ka reaguar ish-ministri i këtij dikasteri Tritan Shehu.

Sipas Shehut, urdhri i Manastirliut dëfton mentalitetin ultracentralist e të rrezikshëm të qeverisë së Rilindjes.

“Një urdhër jo vetëm shterpë në ide për spitalet e vendit ai që u publikua sot, por dhe që pasqyron një mentalitet të Rilindjes ultracentralist e të rrezikshëm në tërësi. E paimagjinueshme kjo që po ndodh me sistemin tonë shëndetësor, tashme gati për tu shndërruar më shumë se dhe një repart ushtarak në centralizmin e tij. 

Jo vetëm nuk mund të flitet për autonomi spitalore, “spitali ndërmarrje” etj ide zhvilluese, por po kalohet nën një trysni, që edhe në diktaturë nuk ishte mbi spitalet. Pa asnje dyshim ky nuk është vetëm një gabim i thellë menaxherial spitalor, është shprehje e largimit tërësor të Qeverisë nga çdo element autonomie, decentralizimi, demokracie e ekonomie tregu. Është shprehje autokracie, jo larg diktaturës!

Lexojeni vete, nuk do t’u besoni syve…spitaleve te vendit u caktohen edhe oraret e vizitave, takimeve deri në minuta, reanimacioneve po kështu!!!”, reagon Shehu.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, ka firmosur sot urdhrin për regjimin e disiplinës dhe rregullave për aksesin e vizitorëve në çdo spital universitar, rajonal dhe bashkiak në vend. Regjimi i ri është i unifikuar, pra në çdo spital universitar, rajonal apo bashkiak, janë përcaktuar orare fikse të vizitave të familjarëve dhe është ndaluar prezenca e familjarëve në Urgjenca, përveç rasteve kur kërkohet nga mjeku.

Konkretisht, vizitat e familjarëve në shërbimet me shtretër do të kryhen dy herë në ditë, paradite nga ora 12:00 – 13:00 dhe pasdite nga ora 17:00 -19:00. dërsa vizitat në shërbimin e reanimacionit spitalor për familjarët e pacientëve të shtruar në reanimacion do të kryhen dy herë në ditë në orën 11:00-12:00 dhe 18:00 – 19:00. Këto orare do të jenë të afishuara në çdo hyrje spitali dhe pavione.

Urdhri i firmosur nga Manastirliu doli si masë e menjëhershme pas ngjarjes së disa ditëve më parë, kur një familjar dhunoi fizikisht mjekun roje të Urgjencës së Spitalit Infektiv, ndërsa po i shërbente pacientëve.

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *