Vendosni fjalën kyçe....

Mashtrimet në Shqipëri, kujdes, rekordin e mban ndërtimi!


Mashtrimi, si akt, është po aq i vjetër sa njerëzimi. Vitet e fundit, në Shqipëri janë shtuar rastet e kallëzimeve për skema të shumta mashtrimi, por ekspertët thonë që ka problematika në gjykim, ndaj të dëmtuarit nuk marrin dëmshpërblimin e tyre. Ndërsa në vitin 2017, veprat penale u rritën me më shumë se 40% se dy vite më parë, ekspertët ligjorë pohojnë rastet e fundit të mashtrimeve në 2018-n…

Nga Deada Hyka

Mashtrimi mund të jetë aq i vjetër sa vetë civilizimi. Veprimtaria mashtruese u përmend në Kodin e Hamurabit, që është kodi më i vjetër i njohur i ligjit që daton rreth vitit 1772. Arkeologët e sotëm shpesh zbulojnë monedha të falsifikuara nga qytetet të harruara tashmë. Për sa kohë që ka pasur mundësi, ka pasur mashtrues. Në fakt, në ditët e sotme, mashtrimi ndodh çdo ditë në mbarë botën. Disa kompani apo individë mendojnë se “nuk do të ndodhë me mua/ne”; të tjerë bëjnë kontrolle të vazhdueshme dhe rigoroze, duke u përpjekur të shmangin skema mashtrimi. Këto taktika dhe strategji janë të dobishme, por të kufizuara.

Sipas ekspertëve të fushës ligjore, individët dhe kompanitë duhet të krijojnë mjedise më të ulëta të rrezikut për mashtrime. Për ta bërë këtë, organizatat duhet të kuptojnë së pari mjedisin e tyre të korporatave – lidhjet mes njerëzve dhe vendit të tyre të punës – dhe kontrolle të qarta për natyrën e këtyre sistemeve.

Sot, në një botë gjithnjë e më të ndërlidhur, teknologjitë dixhitale që i mundësojnë biznesit të zhvillohet, gjithashtu ndihmojnë fshehjen e identiteteve dhe makinacioneve të njerëzve që e kryejnë atë biznes, duke i bërë mashtrimet më të sofistikuara dhe të përhapura. Ndikimi i mashtrimit – për bizneset, palët e interesuara dhe të gjitha ekonomitë – është rritur në mënyrë të ngjashme.

Në 2018-n, në Shqipëri ka pasur disa raste skemash mashtrimi. Më i fundit është rasti me agjencinë turistike, e cila mashtroi me bileta avioni dhe udhëtime, duke mbledhur më shumë se 12 mijë euro dhe pastaj, u zhduk. Më e hershmja, rasti i karburantit Gulf, i cili shiti një numër të konsiderueshëm tollonësh, me vlerë thuajse 5 milionë euro, ku u dëmtuan shumë qytetarë dhe biznese.

Avokatja Denisa Daka, anëtare e Këshillit Drejtues të Dhomës Kombëtare të Avokatisë, thotë për “Monitor” se, në 2018-n, rastet e mashtrimit kanë marrë përmasa më të ‘frikshme’ se vitet e mëparshme. Sipas saj, jo vetëm që është rritur numri i kallëzimeve për shkak të mashtrimit, por edhe përfshirja e individëve ka qenë më e prekshme. Ajo pohon se janë shtuar rastet e mashtrimeve me ‘para borxh’. Duke mos pasur një kontratë të shkruar apo vërtetim noterial, individë të caktuar, duke u nisur nga miqësia, mashtrohen për shuma të konsiderueshme. Në raste të tilla, kallëzimi thuajse nuk përfundon kurrë në dyert e gjykatave për shkak të mungesës së provave mbështetëse.
Raste të tjera mashtrimi, sipas saj, ka pasur plot.

“Krimi i mashtrimit, kryer në shumë raste nga individë me precedentë penalë, po merr përmasa të frikshme në vend, duke kthyer në viktima apo të dëmtuar dhjetëra qytetarë. Në këto kushte, të mashtruar e të pashpresë pas kësaj, dhjetëra syresh trokasin çdo ditë në dyert e komisariateve a prokurorive të të gjitha rretheve gjyqësore për këtë qëllim. Vetëm gjatë 2018-s kemi pasur më shumë se 100 raste të tilla krahasuar me një vit më parë.

Veprat penale të mashtrimit, kryer në shumë raste në bashkëpunim, po zënë majën e piramidës prej disa vitesh në raport me veprat e tjera penale, ndërsa pasojat ligjore, morale, ekonomike, janë tejet të rënda për çdo familje e prekur nga ky fenomen.
Qytetarë të të gjitha moshave kallëzojnë dita-ditës, fakte të rënda e tronditëse në lidhje me mashtrimet e kryera ndaj tyre, nga ‘miq të familjes’ kryesisht, të cilët mjeshtërisht, përdorin të gjitha format për të përvetësuar disa para me çdo kusht prej cilitdo”, – thotë av. Daka.

Ajo shton, se shpesh këta ‘mashtrues’ nuk marrin dënimin, duke vazhduar skemat e punët e tyre me paratë që përvetësojnë në çdo rast, ndërsa për të dëmtuarit nis një tjetër kalvar vuajtjesh e peripecish, pasi mbështetja institucionale nga organet e drejtësisë për këtë qëllim, në shumë raste është e pakonsiderueshme.

Sipas ekspertes ligjore, situata është problematike pasi lindin vepra të tjera penale. Ajo argumenton se, individët e dëmtuar nga skemat e mashtrimit, me besim të ulët tek organet e drejtësisë, të tjerë individë të dëmtuar nga këto veprime kriminale, parapëlqejnë t’i zgjidhin privatisht këto probleme, duke menduar më pas si zgjidhje apo alternativë të vetme të zgjidhjes së problemit “vetëgjyqësinë”. Av. Daka shton se gjatë proceseve gjyqësore, ka parë shpesh njerëz në prag të vetëvrasjes nga ky shkak, për shkak të rrënimit ekonomikisht pas një skeme mashtrimi.

Mashtrimet, kryesisht kompanitë e ndërtimit

Një mori kallëzimesh për mashtrim depozitohen nga qytetarë të ndryshëm gjithashtu dhe në lidhje me veprimet e kundërligjshme që shoqëritë e ndërtimit kryejnë kundër tyre, të cilat në shumë raste, konsistojnë në tjetërsimin e pasurive të tyre tek të tretët, pa dijeninë e tyre, në mashtrim me ligjin. Këtë fakt e bën të ditur av. Daka, e cila thotë se janë shtuar shumë rastet e mashtrimit me rishitjet e apartamenteve në Tiranë.

Si funksionon kjo skemë? Avokatja shpjegon: “Teksa qytetarët që porosisin njësi shërbimi apo banimi pranë shoqërive të ndërtimit, pasi kanë shlyer të gjitha pagesat përkatëse presin të pajisen me certifikatë pronësie për pronën e tyre, bëhen të ditur më pas nga Zyrat e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, që apartamentet apo njësitë e shërbimit të cilat ata kanë blerë, janë shitur rishtas nga shoqëritë e ndërtimit të tretëve, e për këtë arsye nuk mund të jenë pronar të këtyre pasurive pas kësaj”. Ekspertja e fushës ligjore shpjegon më tej edhe një tjetër skemë që po ndodh dhe për të cilën ka pasur kallëzime të shumta.

“Në të tjera raste, administratorët e shoqërive të ndërtimit, vënë kolateral (apo garanci pasurore), ambientet e blera dhe kontraktuara nga qytetarët, (të cilat ende figurojnë në emër të shoqërive të ndërtimit), për marrjen e huave për interesa të tyre pranë institucioneve bankare, pa dijeninë e këtyre të fundit. Këto hua në shumë raste (me ndërgjegje të plotë) nuk shlyhen nga ana e këtyre të fundit, çka sjell si pasojë nisjen e procedurave përmbarimore për vjeljen e detyrimeve në favor të institucioneve financiare, duke vijuar me sekuestrimin e këtyre pasurive të qytetarëve në vijim.”

Avokatja sjell në vëmendje të tjera raste mashtrimesh që ka pasur në dyert e gjykatave: agjenci udhëtimi, që kanë përvetësuar paratë nga “udhëtimet imagjinare” që organizuan për shumë individë; zyra pune “fantazmë” që kanë përvetësuar paratë e individëve që aplikonin për punë, brenda dhe jashtë vendit; klinika e zyra shërbimi kanë mashtruar gjatë këtyre viteve qindra qytetarë me anë të veprimeve apo mosveprimeve të kryera në kundërshtim me ligjin, të cilat kanë pasur kosto morale dhe materiale të konsiderueshme te të gjithë të dëmtuarit.

“Një kalvar përpjekjesh e vuajtjesh nis pas kësaj për secilin prej tyre, ndërsa sipas mundësive e pritshmërive këta të fundit kërkojnë ndihmë nga avokatët për të nisur procedurat ligjore, për t’iu drejtuar gjykatave a prokurorive për zgjidhjen e këtyre konflikteve, me një buxhet të rrënuar e të rënë moralisht. Për shkak të kostove të papërballueshme për shumë prej tyre, një pjesë e madhe tërhiqen duke u lutur me sy nga qielli që të ndodhë ndonjë mrekulli, ndërsa të pastrehë e në mes të katër rrugëve, kërkojnë ndihmë nga familjarët e tyre për të strehuar fëmijët e tyre posaçërisht”, – shpjegon av. Daka.

Sipas saj, organi i akuzës, në shume raste, i konsideron këto marrëdhënie si civile, paçka se ato janë haptazi veprime të kryera në mashtrim me ligjin. “Në të tjera raste, kur vlerësohet nga akuza nisja e çështjes penale, ndalimi apo arrestimi i këtyre personave me rrezikshmëri të lartë shoqërore, informacioni rrjedh, ndërsa këta mjeshtër mashtrimi ia dalin të largohen me qetësi nga Shqipëria, duke marrë njëkohësisht me vete të gjitha paratë e pasuritë e tyre, duke lënë në qiell të hapur qytetarët me të cilët patën një marrëdhënie të posaçme financiare a kontraktuale, të cilët prisnin konform ligjit të kishin strehën e tyre pas blerjes së këtyre ambienteve. Ndërsa në gjykatat civile, proceset zgjasin me vite, qytetarët apo të dëmtuarit të gjithë së bashku, humbin pas kësaj çdo shpresë apo mundësi për të rimarrë paratë e tyre a mundësinë e blerjes së një strehe tjetër në një kohe të shkurtër”, – shpjegon avokatja, e cila shton që në të shumtën e rasteve, qytetarët nuk arrijnë t’i marrin paratë e tyre.

Rastet

Raste mashtrimesh që ka pasur në dyert e gjykatave në 2018-n: agjenci udhëtimi, që kanë përvetësuar paratë nga “udhëtimet imagjinare” që organizuan për shumë individë; zyra pune “fantazmë” që kanë përvetësuar paratë e individëve që aplikonin për punë, brenda dhe jashtë vendit; klinika e zyra shërbimi kanë mashtruar gjatë këtyre viteve qindra qytetarë me anë të veprimeve apo mosveprimeve të kryera në kundërshtim me ligjin, shoqëri ndërtimi kanë mashtruar me rishitjen e pronave te të tretët, duke krijuar amulli të cilat janë raste të pazgjidhura në Gjykata.

Veprat e mashtrimit ndër vite

Vepra penale Mashtrim, parashikohet nga Kodi Penal në kreun e krimeve kundër pasurisë dhe të sferës ekonomike. Ligji Penal parashikon 19 figura veprash penale të konsideruara Mashtrime. Sipas Ministrisë së Drejtësisë, mesatarisht çdo vit, janë proceduar 204 çështje gjyqësore, me rreth 215 autorë të dënuar për grupin e veprave Mashtrime. Sipas të dhënave të tre viteve të fundit të Drejtorisë së Policisë së Shtetit, në total, vepra penale të konstatuara se i përkasin fushës së mashtrimeve, vitin e shkuar arritën mbi 1 mijë të tilla. Sipas shifrave, krahasuar me 2015, ka pasur një rritje të konsiderueshme prej 40.3% të numrit të veprave penale të konsideruara mashtrime. Ekspertët e fushës ligjore raportojnë, se ndonëse ende nuk ka shifra totale për numrin e këtij viti, çështjet në Gjykatë të bëjnë të mendosh për një rritje të numrit të tyre, krahasuar me një vit më parë.

VINI RE: Ky artikull është pronë intelektuale e Monitor.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *